Shpenzimet botërore ushtarake arritën në 2718 miliardë dollarë në vitin 2024, që paraqet një rritje prej 9.4 për qind në terma realë krahasuar me vitin 2023 dhe është rritja më e madhe vjetore që nga të paktën fundi i Luftës së Ftohtë.
Kështu thuhet në raportin e ri të publikuara më 28 prill nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI). Sipas raportit, shpenzimet ushtarake janë rritur në të gjitha rajonet e botës dhe një rritje e shpejtë është regjistruar veçmas në Evropë dhe Lindje të Mesme.
Pesë shpenzuesit kryesorë ushtarakë – Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Gjermania dhe India – përbëjnë 60 për qind të shpenzimeve globale, dhe së bashku këto shtete kanë shpenzuar 1635 miliardë dollarë.
Shpenzimet ushtarake iu referohen të gjitha shpenzimeve qeveritare për forcat ushtarake dhe aktivitetet, përfshirë rrogat dhe përfitimet, shpenzimet operacionale, blerjet e armëve dhe pajisjeve, ndërtimet e infrastrukturës ushtarake, kërkimeve dhe zhvillimit, administratës, komandës dhe mbështetjes.
Rritja më e madhe e shpenzimeve globale ushtarake që nga fundi i Luftës së Ftohtë
SIPRI tha se ky është viti i dhjetë me radhë që shënohet rritje globale e shpenzimeve ushtarake. Sipas raportit, 15 vendet që kanë shpenzimet më të mëdha ushtarake në botë, gjatë vitit 2024 që të gjitha i rritën shpenzimet e tyre ushtarake. Barra ushtarake globale – Bruto Prodhimi i Brendshëm global që i dedikohet shpenzimeve ushtarake – u rrit në 2.5 për qind në vitin 2024.
“Mbi 100 shtete në mbarë botën rritën shpenzimet e tyre ushtarake më 2024. Përderisa qeveritë gjithnjë e më shumë po e bëjnë prioritet sigurinë ushtarake, shpesh në kurriz të sektorëve të tjerë buxhetorë, kompromiset ekonomike dhe sociale mund të kenë pasoja të rëndësishme për shoqëritë në vitet në vijim”, tha Xiao Liang, hulumtues në Programin për shpenzime ushtarake dhe prodhim të armëve në SIPRI.
Rritja e shpenzimeve ushtarake në Evropë
Sipas SIPRI-t, shpenzimet ushtarake në Evropë, përfshirë Rusinë, u rritën për 17 për qind në 693 miliardë dollarë dhe shtetet evropiane ishin kontribuuesit kryesorë të rritjes globale të shpenzimeve ushtarake më 2024.
Me luftën në Ukrainë që është në vitin e tretë, shpenzimet ushtarake vazhduan të rriten në mbarë kontinentin, duke bërë që niveli i shpenzimeve evropiane të kalojë nivelin rekord të regjistruar në fund të Luftës së Ftohtë.
Sipas SIPRI-t, të gjitha shtetet evropiane rritën shpenzimet e tyre ushtarake, përveç Maltës.
Shpenzimet ushtarake të Rusisë arritën në rreth 149 miliardë dollarë në vitin 2024, një rritje prej 38 për qind krahasuar me vitin 2023. Kjo shifër njëherësh paraqet dyfishim të nivelit të shpenzimeve ushtarake krahasuar me vitin 2015. Kjo shifër përbën 7.1 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm së Rusisë dhe 19 për qind të të gjitha shpenzimeve të Qeverisë ruse.
Ndërkaq, shpenzimet ushtarake totale të Ukrainës, që po përballet me luftën e nisur nga Rusia më 2022, u rritën me 2.9 për qind, duke arritur në 64.7 miliardë dollarë – shifër e barabartë me 43 për qind të shpenzimeve të Rusisë. Me 34 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm, Ukraina kishte barrën ushtarake më të lartë nga të gjitha vendet gjatë vitit 2024.
“Rusia edhe një herë rriti ndjeshëm shpenzimet e saj ushtarake, duke e thelluar më shumë hendekun me Ukrainën”, tha Diego Lopes da Silva, hulumtues i lartë në Programin për shpenzimet ushtarake dhe prodhimin e armëve në SIPRI.
“Ukraina, aktualisht i dedikon të gjitha të ardhurat e saj nga taksat për ushtrinë. Në një hapësirë kaq të ngushtë fiskale do të jetë e vështirë për Ukrainën të vazhdojë të rrisë shpenzimet e saj ushtarake”, shtoi ai.
Sipas raportit, disa shtete në Evropën Qendrore dhe Perëndimore kanë pasur rritje të paprecedent të shpenzimeve ushtarake gjatë vitit 2024, pasi kanë zbatuar zotime të mëdha shpenzimesh dhe plane të mëdha të blerjes së armatimeve.
Shpenzimet ushtarake të Gjermanisë, sipas SIPRI-t, u rritën për 28 për qind dhe arritën në 88.5 miliardë dollarë, duke e shndërruar këtë Berlinin në shpenzuesin më të madh ushtarak në Evropën Qendrore dhe Perëndimore dhe të katërtin në votë.
“Për herë të parë që nga ribashkimi, Gjermania është bërë shpenzuesja më e madh ushtarak në Evropën Perëndimore, që është rezultat i fondit të veçantë për mbrojtjen prej 100 miliardë eurosh të miratuar në vitin 2022”, tha Lorenzo Scarazzato, hulumtues në Programin për shpenzimet ushtarake dhe prodhimin e armëve të SIPRI.
“Politikat e fundit, të miratuara në Gjermani dhe në shumë vende të tjera evropiane sugjerojnë se Evropa ka hyrë në një periudhë të shpenzimeve të larta dhe në rritje për mbrojtjen, që ka gjasa të vazhdojë në të ardhmen e afërt”, shtoi ai.
Një tjetër shtet evropian, Polonia, rriti shpenzimet ushtarake për 31 për qind apo 38 miliardë dollarë.
Rritje të shpenzimeve ushtarake shënoi edhe Mbretëria e Bashkuar me 2.8 për qind, duke arritur në 81.8 miliardë dollarë, duke u renditur e gjashta për nga shpenzimet më të mëdha ushtarake në botë.
Ndërkaq, shpenzimet ushtarake të Francës u rritën me 6.1 për qind, duke arritur në 64.7 miliardë dollarë dhe duke e bërë atë vendin e nëntë më të madh për nga shpenzimet.
Shpenzimet e vendeve të NATO-s
Të gjitha vendet anëtare të NATO-s, sipas SIPRI-t, rritën shpenzimet e tyre ushtarake në vitin 2024. Shpenzimet totale ushtarake nga vendet anëtare të NATO-s arritën 1506 miliardë dollarë, që përbën 55 për qind të shpenzimeve ushtarake globale.
Nga 32 vendet anëtare të NATO-s, 18 shpenzuan të paktën 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për ushtrinë e tyre, nga 11 vende sa ishin në vitin 2023, duke shënuar numrin më të lartë që nga miratimi i këtij udhëzimi të shpenzimeve në vitin 2014.
Shpenzimet ushtarake të SHBA-së u rritën me 5.7 për qind, duke arritur 997 miliardë dollarë, që paraqet 66 për qind të shpenzimeve të NATO-s dhe 37 për qind të shpenzimeve ushtarake botërore në vitin 2024. Një pjesë e madhe e buxhetit të SHBA-së për vitin 2024 iu dedikua modernizimit të kapaciteteve ushtarake dhe arsenalit bërthamor, me qëllim ruajtjen e avantazhit strategjik ndaj Rusisë dhe Kinës.
Ndërkaq, vendet evropiane të NATO-s shpenzuan gjithsej 454 miliardë dollarë, që përbënin 30 për qind të shpenzimeve të përgjithshme të aleancës ushtarake perëndimore.
Suedia rriti shpenzimet e saj ushtarake me 34 për qind në vitin 2024, duke arritur në 12 miliardë dollarë. Në vitin e saj të parë si anëtare e NATO-s, ngarkesa ushtarake e Suedisë arriti në 2.0 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm.
“Rritjet e shpejta të shpenzimeve në mesin e vendeve evropiane të NATO-s u shtyn kryesisht nga kërcënimi i vazhdueshëm nga Rusia dhe shqetësimet për një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga aleanca”, tha Jade Guiberteau Ricard, hulumtuese në Programin e SIPRI-t për shpenzimet ushtarake dhe prodhimin e armëve.
“Vlen të theksohet se rritja e shpenzimeve nuk përkthehet domosdo në rritje të ndjeshme të kapaciteteve ushtarake apo të pavarësisë nga SHBA-ja. Këto janë detyra shumë më komplekse”, shtoi Ricard.
Rritje e shpenzimeve ushtarake në Lindjen e Mesme
Shpenzimet ushtarake në Lindjen e Mesme arritën në rreth 243 miliardë dollarë në vitin 2024, që paraqet një rritje prej 15 për qind krahasuar me vitin 2023 dhe 19 për qind më shumë sesa në vitin 2015.
Shpenzimet ushtarake të Izraelit u rritën me 65 për qind, duke arritur 46.5 miliardë dollarë – rritja vjetore më e madhe që nga Lufta Gjashtëditore në vitin 1967 – në kohën kur ky shtet vazhdonte luftimet në Gaza dhe përshkallëzonte konfliktin me Hezbollahun në jug të Libanit. Barra ushtarake e Izraelit (shpenzimet ushtarake si përqindje e Bruto Prodhimit të Brendshëm) u rrit në 8.8 për qind, niveli i dytë më i lartë në botë, u tha në raportin e SIPRI-t.
Në Liban, shpenzimet ushtarake u rritën me 58 për qind gjatë vitit 2024, duke arritur 635 milionë dollarë. Kjo rritje ndodhi pasi për disa vite Libani kishte pasur nivel të ulët të shpenzimeve ushtarake për shkak të krizës ekonomike dhe paqëndrueshmërisë politike.
“Pavarësisht pritjeve se shumë vende të Lindjes së Mesme do të rrisnin shpenzimet ushtarake në vitin 2024, rritjet e mëdha u kufizuan në Izrael dhe Liban”, tha Zubaida Karim, hulumtuese në Programin e SIPRI për shpenzimet ushtarake dhe prodhimin e armëve. “Në vendet e tjera, ose nuk pati rritje të ndjeshme në përgjigje të luftës në Gaza, ose ato u penguan nga vështirësitë ekonomike”.
Gjatë vitit të kaluar, Arabia Saudite ishte vendi me shpenzimet më të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme dhe i shtati më i madh në botë. Shpenzimet e saj ushtarake u rritën në mënyrë modeste me 1.5 për qind, duke arritur në 80.3 miliardë dollarë, megjithatë ato ishin 20 për qind më të ulëta krahasuar me vitin 2015, kur të ardhurat e shtetit të Lindjes së Mesme nga nafta arritën nivelin rekord.
Ndërkaq, në Iran, shpenzimet ushtarake ranë për 10 për qind në terma realë, apo në 7.9 miliardë dollarë më 2024. Kjo rënie ndodhi pavarësisht se Teherani, sipas SIPRI-t, u përfshi në konfliktet rajonale dhe mbështeti aleatë të armatosur në rajon.
SIPRI tha se sanksionet ndërkombëtare kanë kufizuar ndjeshëm aftësinë e Iranit për të rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes.
Kina vazhdon rritjen e shpenzimeve ushtarake
Kina, vendi i dytë më i madh në botë sa i përket shpenzimeve ushtarake, i rriti shpenzimet me 7 për qind në vitin 2024, duke arritur në rreth 314 miliardë dollarë. Pekini shënon rritje tridekadëshe të njëpasnjëshme.
Kina – ekonomia e dytë më e madhe në botë pas SHBA-së – ka 50 për qind të shpenzimeve ushtarake në Azi dhe Oqeani, teksa Pekini ka investuar në modernizimin e ushtrisë, zgjerimin e kapaciteteve të luftës kibernetike dhe arsenalin bërthamor.
Në shtetet fqinje, Japonia ka rritur shpenzimet me 21 për qind apo 55.3 miliardë dollarë. Kjo është rritja më e madhe vjetore në Japoni që nga viti 1952.
India, e pesta në botë për nga shpenzimet ushtarake, shpenzoi 86.1 miliardë dollarë në vitin 2024 – një rritje prej 1.6 për qind, sipas raportit të SIPRI-t.
Në Tajvan, ishullin vetëqeverisës që Kina pretendon se i përket, shpenzimet u rritën me 1.8 për qind, duke arritur në 16.5 miliardë dollarë.
“Shpenzuesit kryesorë ushtarakë në rajonin Azi-Paqësor po investojnë gjithnjë e më shumë në kapacitete të avancuara ushtarake”, tha Nan Tian, drejtor i Programit të SIPRI për shpenzimet ushtarake dhe prodhimin e armëve.
“Me disa mosmarrëveshje të pazgjidhura dhe tensione në rritje, këto investime rrezikojnë të fusin rajonin në një spirale të rrezikshme të garës së armatimit”, shtoi Tian.
SIPRI tha se ky është viti i dytë radhazi që në pesë rajonet gjeografike të botës është shënuar rritje e shpenzimeve ushtarake, duke vënë në pah tensionet gjeopolitike në mbarë botën. /Radio Evropa e Lirë/