Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pas mbledhjes së komitetit anti-Covid, tha se valët e reja të përhapjes së pandemisë janë të pashmangshme. Ai ka theksuar se nga 170 persona që kanë vdekur javën e fundit, 149 prej tyre nuk kanë qenë të vaksinuar.
“Kemi rreth 600 mijë qytetarë që kanë marrë së paku një dozë të vaksinës. Nga data 12 shtator do të kemi vaksinim edhe të dielave. Edhe kjo javë ka qenë e vështirë për qytetarët tanë. Prej atyre që janë hospitalizuar 93 për qind kanë qenë të pavaksinuar. Gjatë kësaj jave kemi 170 qytetarë kanë humbur jetën dhe prej tyre 149 kanë qenë të pavaksinuar. Valët e reja janë të pashmangshme”, tha Vitia.
Ai ka përsëritur se nga 13 shtatori punëtorët e administratës publike duhet të kenë një dëshmi, kartën e vaksinimit apo testin PCR negativ, derisa nuk ka përjashtuar se mund të merren masa të reja para kësaj date.
Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani tha se prej 20 për qind të pozitivitetit ka rënie në 13 për qind.
“Ka filluar të stabilizohet gjendja me Covid. Krahasuar me totalin e të prekurve, mbesin ato të grupmoshave të reja. Vetëm 2,2 e nxënësve kanë rezultuar pozitiv. Kemi një rënie të rasteve aktive, prej 3,6 për qind deri në 6, ku ditëve në vijim pritet të bie gradualisht. Masa më e mirëbetet vaksinimi”, ka theksuar ai.
E drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi tha së ditëve të fundit janë përballur me fluks të madh të pacientëve. Ai ka përmendur tri karakteristikat e variantit Delta.
“Para pesë ditëve kemi pasur numrin më të madh të pacientëve të cilët kanë kërkuar shërbime. Kemi numër të madh të të infektuarve në një periudhë të shkurtër kohore. Duket që varianti Delta ka fituar fuqi në agresivitetit të sëmundjes. Prekja edhe e grupmoshave të reja. Megjithë këto karakteristika, ne kemi dy përparësi. Kemi arritur të stabilizojmë sigurimin me oksigjen dhe të stabiluzojmë furnizimin me barna nga lista esenciale falë MSh-së me 8 milionë euro në rishikim të buxhetit. Brenda dy ditëve, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar do të ketë edhe 750 profesionistë shëndetësorë”, theksoi ai.
Ai ka përmendur që në tri ditët e fundit ka pasur më shumë pacientë të kyçur në respiratorë.