Me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), sot është mbajtur një takim mes përfaqësuesve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe atyre të AKK-së, me ç’rast u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi.
Në këtë takim morën pjesë edhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe kryeshefi ekzekutiv i AKK-së, Avni Ahmeti.
Qëllimi i marrëveshjes është formalizimi i bashkëpunimit në përkrahjen dhe ekspertizën që AKK do t’i ofrojë FSK-së në fushën e hartografisë, gjeoinformacionit, me ofrimin e produkteve kadastrale e gjeohapësinore që administrohen nga AKK për nevoja të FSK-së, me specifikimin e përgjegjësive të palëve nënshkruese, me emërimin e personave përgjegjës për zbatim të marrëveshjes e ngjashëm.
Implementimi i kësaj marrëveshjeje do të rezultojë me ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së në fushën e hartografisë dhe gjeoinformacionit dhe në implementim sa më gjithëpërfshirës e të avancuar të mandatit të saj./KosovaPress