Gjykata Themelore në Ferizaj ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.R., shtetas i Kosovës, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, ndërsa të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.
Gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 24.01.2018, në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, duke drejtuar automjetin e tij, nga pakujdesia dhe në kundërshtim me nenin 53 të Ligjit mbi Trafikun, ka goditur këmbësorin N.P., me ç’rast nga plagët e marra në vendin e ngjarjes mjeku ka konstatuar vdekjen e tij.
Palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij. / Kosova Press