​Klinika Emergjente trajton numër rekord të rasteve, shtohen pacientët edhe për shkak të nxehtit

Mbi 50 mijë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës nga janari deri më tani. Ky është numër rekord i trajtimit të rasteve krahasuar me të gjitha vitet paraprake, madje është rritje për 30 përqind e rasteve të trajtuara.

Gjatë muajit korrik, në këtë Klinikë kanë marrë shërbime shëndetësore mbi 7 mijë persona, në mesin e tyre shumë pacientë i janë drejtuar kësaj klinike edhe për shkak të temperaturave të larta.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, potencon se brenda 24 orëve në këtë Klinikë kërkojnë ndihmë mjekësore mbi 320 raste, e që sipas tij është numër enorm.

Lenjani bënë të ditur për KosovaPress se ditëve të fundit ka pasur shtim të rasteve që kanë kërkuar shërbime emergjente për shkak të temperaturave të larta. Ai thotë se shumica prej tyre janë persona që kanë edhe sëmundje të tjera kronike.

Derisa ditëve të fundit në vend janë rritur rastet e reja me COVID-19, Lenjani thotë se rastet post-COVID janë ato që po kërkojnë më shumë trajtim në Klinikën Emergjente.

Numri i madh i pacientëve që kërkojnë trajtim në Klinikën Emergjente, sipas Lenjanit është arsye se pse institucionet e vendit duhet të përfundojnë më shpejtë ndërtesën e re të kësaj Klinike.

Ai potencon se aktualisht në shërbim janë vetëm 19 shtretër, e që sipas tij është një numër shumë i vogël.

Ai u bënë ftesë edhe institucioneve parësore shëndetësore, që të referojnë rastet vetëm atëherë kur në Klinikat e tyre nuk mund të ofrojnë ato shërbime./KosovaPress

Read Previous

Tottenhami mirret vesh me Atalantan për Romeron

Read Next

Vazhdon përballja me zjarret në Shqipëri, situatë më e rëndë në Karaburun