​Malajzia përjashton vizat për Kosovën, Osmani shpreh mirënjohje

Me rastin e vendimit të Malajzisë të përjashtojë vizat ndaj qytetarëve të Kosovës për qëndrime deri në 30 ditë, presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se do të vizitojë Malajzinë javën e ardhshme.

“Në prag të vizitës sime zyrtare në Malajzi javën e ardhshme, jam thellësisht mirënjohëse ndaj autoriteteve malajziane për vendimin e tyre për të lejuar përjashtimin nga viza për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për qëndrime deri në 30 ditë”, u deklarua ajo në platformën X.

Ky hap, së bashku me hapjen e ardhshme të Ambasadës së Kosovës në kryeqytetin malajzez, Kuala Lampur, dëshmon që marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve po forcohen “çdo ditë e më shumë”, sipas Osmanit.

Ajo shprehu mirënjohjen ndaj institucioneve malajzeze për këtë vendim të rëndësishëm.

“Shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj institucioneve malajziane për këtë vendim domethënës. Me padurim pres të zhvilloj takime me udhëheqësit shtetërorë javën e ardhshme, ndërsa punojmë së bashku për të thelluar bashkëpunimin tonë dhe për të zhvilluar interesat e përbashkëta të popujve tanë”, tha Osmani.

Edhe ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se me vendim të Qeverisë së Malajzisë, qytetarët e Republikës së Kosovës nga tani mund të udhëtojnë pa vizë në Malajzi, për një periudhë që nuk e tejkalon qëndrimin prej tridhjetë (30) ditësh.

“Republika e Kosovës mirëpret këtë hap pozitiv dhe shpreh mirënjohjen ndaj institucioneve malajziane për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në shërbim të qytetarëve dhe lidhjeve bilaterale gjithnjë e më të fuqishme në mes të dy vendeve tona,” deklaroi Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. /KosovaPress/

Read Previous

Gjimnazisti vr*et shokun dhe plagos tre të tjerë në Francë

Read Next

Kusari-Lila: Kushtetuta thotë 30 ditë pas certifikimit duhet konstituimi