Më 22 prill vdiq profesori i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të sporteve, Aziz Dujaka.
I ndjeri ishte profesor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit dhe dha një kontribut të çmuar në zhvillimin dhe masivizimin e sporteve të ndryshme. Përkushtimi i tij i palodhshëm ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek brezat e rinj, veçanërisht tek studentët, të cilët, falë tij, avancuan njohuritë dhe dashurinë për sportin.
Në nderim të veprës dhe jetës së tij, u mbajt një akademi përkujtimore ku u vlerësuar lart jeta, vepra dhe kontributi i tij në sport dhe në edukimin e brezave të rinj.
Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Florian Miftari theksoi se Dujaku ishte edukator, frymëzues, udhërrëfyes, shkencëtar sportiv dhe mbi të gjitha një njeri me zemër shumë të madhe
“22 prilli për të gjithë ne mbetet një ditë thyer. Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të profesorit Aziz Dujaku, njeriut i cili la gjurmë të pashlyeshme në jetën dhe shoqërinë tonë. Profesor Azizi ishte shumë më tepër se një mësimdhënës, ai ishte edukator, frymëzues, udhërrëfyes, shkencëtar sportiv dhe mbi të gjitha një njeri me zemër shumë të madhe dhe definitivisht profesor shembullor për të gjithë atë që e njihnin…Qysh në moshë të re u shqua si një sportist i dalluar, ishte kampion në gjimnastikë, not, skijim, tenis dhe ne zhytje. Sporti për të nuk ishte vetëm pasion por mënyrë jetese që e përcolli deri në fund të jetës së tij. Si pedagog i Fakultetit të Edukimit dhe Sportit për 14 vjet mbeti shtyllë e dijes dhe shembull i profesionalizimit të një profesorit model”, theksoi Miftari.
Ndërsa vëllai i Azizit, Esati, theksoi se ai ishte një punëtor i madh dhe se nuk do të jetë e lehtë të i delet hakut për veprën që ai ka lënë pas vetes.
“Ka qenë një njeri i thjeshtë, këtë e njihni edhe ju, një njeri punëtor siç jeni edhe ju. Për mua mbetet një kujtim i pa harruar dhe nuk e di se si do t’i dal hakut unë por edhe të tjerët rreth tij”, ka thënë Dujaka.
Aziz Dujaku ishte lindur në vitin 1955 dhe vdiq më 22 prill 2025. /KosovaPress/