Me rastin e 23 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, krerët shtetëror kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Duke uruar qytetarët në këtë ditë çlirimi, ata u zotuan se do të angazhohen për drejtësi për të gjitha viktimat, dëmet dhe vuajtjet e shkaktuara te popullit i Kosovës nga forcat serbe.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në këtë ditë shprehu falënderimin dhe përkuljen para kontributit të të gjithë atyre që trasuan rrugën për liri dhe pavarësi.
Osmani-Sadriu u shpreh se ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova është arkitekt i pavarësisë, i cili ndërtoi ura miqësie që edhe sot i shërbejnë Kosovës.
“Këtë ditë e cila simbolizon shumëçka për të gjithë qytetarët tanë, gjithë popullin e Kosovës që për dekada të tëra ishte i shtypur nga regjimi gjenocidal i Millosheviqi, më 12 qershor të gjitha forcat serbe u larguan nga Kosova pas krimeve të llahtarshme që kishin kryer ndaj popullatës civile në Kosovë dhe në Kosovë hynë forcat e NATO-së, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe u rikthyen edhe civilët të cilit ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të dëbimit masiv dhe spastrimit etnik ndaj popullit të Kosovës. Prandaj, në këtë ditë ne mbi të gjitha shprehim falenderimin dhe përkuljen tonë para kontributit të gjithë qytetarëve të Kosovës në mënyrë që ne ta gëzojmë lirinë e mbi të gjitha shprehim falënderimin tonë dhe përkushtimin tonë për të ecur përpara në rrugën e atyre që e trasuan rrugën tonë përpara për liri dhe pavarësi. Filluam duke nderuar arkitektin e pavarësisë, presidentin historik, Ibrahim Rugova i cili mbi të gjitha e bëri të qartë vullnetin e popullit të Kosovës edhe para gjithë botës duke ndërtuar kështu ura miqësie të cilat edhe sot e kësaj dite i shërbejnë Kosovës për të ecur përpara”, u shpreh ajo.
Kurse, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u shpreh se sot Kosova shënon çlirimin e vendit, paqen dhe lirin e popullit por edhe kujton ata që kontribuan për këtë.
Kurti u shpreh se institucionet e Kosovës nuk e harrojnë të kaluarën dhe se angazhohen për drejtësi për viktimat, dëmet dhe vuajtjet e popullit të Kosovës.
“Ne sot shënojmë çlirimin e vendit, shënojmë paqen në Kosovë dhe lirinë e popullit, dhe në të njëjtën kohë kujtojmë ata të cilët kontribuan, punuan, u sakrifikuan, u flijuan që ne të jemi edhe të gjallë edhe të lirë edhe me mundësi për përparim.Nuk mund ta paramendojmë humanitetin, durimin, qetësinë në politikë pa presidentin, Ibrahim Rugova, i cili para se të bëhej president për herë të parë këtu e 30 vjet më parë ishte intelektual i angazhuar, racionalisht i cili me insistimin e tij dha kontribut të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës në veçanti në kohën e okupimit të egër të Serbisë të aparthejdit të Millosheviqit që kulmoj me gjenocidin kundër popullit tonë. Ne me siguri si institucione të Republikës së Kosovës, nuk e harrojmë kurrë të kaluarën, do të insistojmë dhe do të angazhohemi për drejtësi për të gjitha viktimat, për të gjitha dëmet, e vuajtjet që na u kanë shkaktuar dhe në këtë mënyrë bashkë me popullin e Kosovës që është i jashtëzakonshëm e kemi të sigurt dhe shumë më të mirë të ardhmen përpara”, theksoi Kurti.
Gjatë ditës së sotme në shënime të 23 vjetorit të çlirimit të Kosovës do të mbahet një performancë e Orkestrës Frymore të FSK-së dhe Togut Ceremonial të FSK-së – nga sheshi “Skënderbeu” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”, si dhe manifestimi qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, nën përkujdesjen e Presidencës së Republikës së Kosovës.
Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.