Ministria e Kulturës ka hedhur poshtë akuzat e kryetarit Përparim Rama se qeverisja qendrore po i bllokon dhe ndalon projektet kapitale në kryeqytet, duke thënë se është vetë Komuna e Prishtinës ajo që po vepron jashtë kornizës ligjore në projekte infrastrukturore në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore.
Bislim Bislimi, sekretar permanent i MKR-së, tha se Komuna e Prishtinës po e shmang ligjin në mënyrë të qëllimshme.
Ai theksoi se nisja e punimeve për projektet si lidhja e lagjes “Arbëria” me platonë e Pallatit të Rinisë, sheshi “Xhorxh Bush”, rrugët “Agim Ramadani” e “Rexhep Luci”, janë bërë pa leje të shkruara, derisa theksoi se janë sipërfaqe të mbrojtura me ligj.
“Komuna e Prishtinës kohëve të fundit siç duket me qëllim është duke e shmangur ligjin në disa raste radhazi. Zhvillimi i projektit, prokurorimi i tij dhe nisja e zbatimit të punëve në projektin e lidhjes së lagjes “Arbëria” me platonë e Pallatit të Rinisë, është rasti i parë. Zhvillimi i projektit dhe prokurimit të tij dhe nisja e zbatimit të punës në sheshin “Xhorxh Bush”, zhvillimi i projektit, prokurimit të tij në projektin e rrugës “Agim Ramadani”, zhvillimi i projektit prokurimit të tij dhe nisja e punës në rrugën “Rexhep Luci” – të gjitha këto ndërhyrje janë pa leje të shkruar, derisa dihet se janë sipërfaqe të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, ku institucionet janë të kontrolluara dhe mund të lejohen vetëm, me leje të shkuara nga institucioni kompetent. MKRS konsideron se këto veprime derisa janë të përsëritura i vlerëson si të qëllimshëm nga komuna e Prishtinës dhe me precedent të rrezikshëm për palët e tjera në Republikën e Kosovës, duke i inkurajuar paligjshmëri dhe rrezik të drejtpërdrejtë për vlerat dhe asetet e trashëgimisë kulturore”, potencoi ai.
Imer Hakaj, drejtor i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore pranë MKRS-së, tha se ofrimi i dorëheqjes së tij, e cila nuk u pranua nga MKRS-ja, ka qenë për shkak të presionit dhe tejkalimit të kompetencës së kryetarit të komunës Përparim Rama dhe drejtorëve kompetente ndaj inspektoratit të trashëgimisë kulturore.
“Kërkesa ime zyrtare për largim nga pozita e drejtorit të inspektoratit ka qenë shkak i presionit i tejkalimit të kompetencës së kryetarit të komunës dhe drejtorëve kompetentë ndaj Inspektorit të trashëgimisë kulturore, dhe jam munduar dhe mundohem prapë të qëndroj në atë pikë për shkak se tash me ligjin për inspektime, unë jam përgjegjës për çdo tejkalim, shkelje të ligjit apo çfarëdo tjetër, sepse inspektori del sipas autorizimeve dhe miratimeve të drejtorit, dhe këtu deri më sot e kemi bartur mesazhin e drejtë, asnjë prej neve në këtë ministri nuk bartim mesazhe politike dhe nuk kemi të drejtë ligjore, por jemi duke bartur mesazhin e ligjit për asetet e trashëgimisë kulturore për zonat e mbrojtura me ligj dhe nuk ka diçka tjetër në lidhje me këtë”, tha ai.
Përplasjet ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës janë thelluar kohëve të fundit, për shkak të disa projekteve kapitale që, sipas MKRS-së, po realizohen pa respektuar procedurat ligjore në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore.
MKRS ka akuzuar komunën e Prishtinës për shmangie të qëllimshme të ligjit dhe për krijimin e një precedenti të rrezikshëm institucional, ndërsa Komuna pretendon se po përballet me pengesa politike. /KosovaPress/