Java e 17-të në Superligën e Shqipërisë, ka paraparë të zhvillohen dy ndeshje interesante në kuadër të programit të ditës së shtune.
Kastrioti ka zhvilluar ndeshje si vendas kundër Bylis, kurse Kukësi ishte mysafirë i skuadrës së Skënderbeut.
Kastrioti arriti të sigurojë tre pikë të vështira kundër skuadrës së Bylis, ku me rezultat minimal 1:0 arriti që të siguroj fitoren. Rezultatin arriti ta zhbllokojë sulmuesi Klejdi Daci në minutën e 51’, ku goli i tij doli të ishte vendimtari i kësaj ndeshjeje.
Në anën tjetër, Kukësi regjistroi fitore të thellë si mysafirë i Skënderbeut, ku rezultati përfundimtar ishte 0:4. Golin e parë të ndeshjes e shënoi mesfushori 32 vjeçar Agim Ibraimi në minutën e 5’. Pas tij në skenë doli mesfushori Vesel Limaj ku menjëherë pas dy minutave, respektivisht në minutën e 7’, shënoi golin e dytë. Pjesën e parë me gola e mbylli edhe sulmuesi brazilian Matheus Leiria Dos Santos, i cili në minutën e 33’ shënoi për 0:3. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat. Në 45’ minutëshin e dytë, Kukësi kërkonte përsëri golin tjetër, ku në minutën e 63’ përsëri shënoi mesfushori Vesel Limaj, për rezultatin përfundimtar 0:4.
Me këto fitore, Kastrioti pozicionohet në vendin e gjashtë me 21 pikë, ndërsa Kukësi gjendet në pozitën e katërt me gjithsej 26 pikë.
Nesër mund t’i ndiqni ndeshjet përmbyllëse të xhiros së 17-të, ku Apolonia Fier pret në shtëpi skuadrën e Tiranës, Laçi zhvillon ndeshje si vendas kundër Tiranës dhe ndeshja e fundit do të jetë mes Partizanit dhe Vllaznisë./KosovaPress