Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm për pikat e reja të aktakuzës me të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Para gjykatësit të procedurës paraprake, Thaçi ka thënë se nuk e ka kuptuar aktakuzën meqë e njëjta është tejet e redaktuar. Lidhur me këtë ka reaguar edhe avokati i tij i cili ka thënë se emrat, vendet dhe koha janë të gjitha të redaktuara në aktakuzë dhe kjo sipas tij, e bënë Thaçin që të mos kuptojë se çka po paraqet prokuroria.
Ish-kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dalë edhe njëherë para gjykatësit të procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pasi më 29 prill Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Prokuroria po pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Smetishtë.
Kur Thaçi, i cili është paraqitur përmes video lidhjes, është pyetur nëse e kupton aktakuzën, ai ka thënë se ajo është shumë e redaktuar.
Thaçi: Nuk e kam kuptuar aktakuzën sepse është shumë e redaktuar
“Nuk i kam kuptuar sepse nuk kam pasur mundësi me i lexu sepse janë shumë të redaktuara”, ka thënë Thaçi.
Thaçi dhe mbrojtja e tij kanë kërkuar që aktakuza mos të lexohet fare në gjykatore.
Kehoe: Nuk kemi nevojë të lexohet aktakuza
“Ne nuk kemi nevojë të lexohen elementet e reja të aktakuzës, nuk është e nevojshme”, ka thënë avokati i Thaçit.
Ndërsa gjykatësi ka thënë se aktakuza mund të gjendet dhe lexohet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Derisa Thaçi ka mundësi brenda 30 ditësh të deklarohet fajtor ose i pafajshëm për pikat e reja të aktakuzës ai ka zgjedhur ta bëjë këtë në paraqitjen e tij të parë.
Thaçi: Deklarohem i pafajshëm
“Zoti gjyqtar e theksova edhe njëherë, amendamentet tuaja shtesë janë të redaktuara, jam munduar t’i lexoj nuk kam arritur, prandaj edhe nuk i kam kaptuar por deklarohem i pafajshëm”, ka thënë Thaçi kur është pyetur zyrtarisht nga gjykatësi rreth deklarimit të tij fajtor apo i pafajshëm.
Mbrojtja e tij, avokati Gregory Kehoe ka thënë se me redaktimet të cilat janë bërë në aktakuzë është e pamundur të kuptohet se për çfarë akuzash bëhet fjalë.
Kehoe: Është e pamundur të kuptohet aktakuza sepse është e redaktuar
“Problemi për klientin tonë është që si shumica e këtyre akuzave ato janë shumë të redaktuara, emrat, vendet, koha, kjo është njësoj si përpara dhe kjo e bënë klientin tim Thaçin dhe të tjerët të akuzuar që të mos kenë mundësi të kuptojnë saktësisht se çfarë po paraqet ZPS, kjo është një vështirësi e vazhdueshme, ata vazhdojnë të shtojnë volume materialesh dhe me redaktime të shumta, redaktime të shumta ka pasur përpara dhe redaktime të shumta po bëhen tani. Me këto redaktime është e pamundur të kuptohet nga ai se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë Kehoe.
Tutje, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka lexuar të drejtat e të akuzuarit dhe ka bërë të ditur që përmes mbrojtjes së tij mund t’i kundërshtojë akuzat.
Guillou: Redaktimet në aktakuzë kanë të bëjnë me emra të dëshmitarëve potencial
“E them për publikun, që ka redaktime vërtet në aktakuzë dhe ato kryesisht kanë të bëjnë me emrat e dëshmitarëve potencial dhe viktimave potenciale dhe këto janë autorizuar prej meje në vendimin e që kam dhënë”, ka thënë ai.
Ndërsa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka pasur deklarime.
Pas paraqitjes së Thaçit, në Hagë sot para gjykatësit të procedurës paraprake do të dalin ndaras edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ish-krerët e UÇK-së po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa edhe në paraqitjet e tyre të para Dhomave të Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Gjykata Speciale ka njoftuar se më 29 prill 2022 ZPS ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër këtyre katër të akuzuarve.