​Varianti i ri i COVID, ende nuk dihen rezultatet e 30 mostrave të dërguara në Gjermani

Kosova ende zyrtarisht nuk është përballur me asnjë rast të mutacionit të ri të COVID-19, siç ka ndodhur në disa shtete të Evropës. Me qëllim të detektimit të këtij varianti të ri, të hënën autoritetet kosovare shëndetësore i kanë dërguar për analiza 30 mostra në një laborator në Berlin të Gjermanisë, por deri tani Instituti Kombëtar i Shëndetit publik nuk ka marrë asnjë përgjigje për rezultatet e këtyre mostrave.

Kështu ka deklaruar Xhevat Jakupi, drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK i cili tha se ende nuk dihet se sa do të vonohen rezultatet e këtyre mostrave.

Jakupi: Nuk e dimë se kur mund t’i kemi rezultatet e këtyre mostrave

“Realisht mostrat të cilat janë nisur të hënën me postë të shpejtë do duhej të kishin arritur në Berlin diku të mërkurën apo të enjten, dhe realisht është shumë herët për të pasur ndonjë përgjigje kthyese nga laboratori referent në Qendrën Klinike Universitare ‘Charite’ në Berlin. Zakonisht procedurat e detektimit gjenetik kërkon një periudhë më të gjatë kohore për kryerjen e punës për analizë, krijim të raportit. Nuk e di, ndonjëherë zgjatë me javë të tëra, me muaj varet sesa sa kanë mundësi për t’i procesuar mostrat tona të cilat kanë shkuar nga Kosova. Në momentin e parë që do jenë në dispozicion ato të dhënat ato informata kthyese apo të dhëna do publikohen përmes kanaleve të IKSHP-së. Nuk ka ndonjë datë të saktë që kolegët tanë nga Gjermania na kanë informuar se kur do jenë në dispozicion (rezultatet) së paku nuk e kemi ende”, theksoi Jakupi.

Jakupi tutje ka thënë se për variantin e ri të COVID-19 janë duke e shqyrtuar mundësinë e detektimit, por në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik mungojnë disa kapacitete teknike të cilat nuk mund të sigurohen shpejt.

Jakupi: Mungojnë kapacitetet teknike për detektimin e mutacionit të ri të COVID-19

“Ne jemi duke i shqyrtuar opsionet e detektimit përmes testimit me real time PCR të mostrave pozitive dhe momentalisht janë në fazën e prodhimit dhe hulumtimit të disa kiteve me real time PCR për t’i detektuar drejtpërdrejtë në mostër virus me mutacion, por ende nuk është ndonjë prej tyre që është për diagnozë laboratorike dhe po ashtu ne jemi në proces të fillimit të sekrencionimit në IKSHP por realisht për momentin mungojnë kapacitetet teknike për të kryer këtë proces në Kosovë. Por po shpresojmë që në muajt në vijim do rriten kapacitetet për sekrecionionim por nuk është diçka që bëhet brenda disa javëve”, u shpreh Jakupi.

Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se varianti i ri i COVID-19 përhapet shumë më shpejt sesa koronavirusi, teksa ende nuk është konfirmuar se ka vdekshmëri më të lartë.Tashmë një lloj tjetër i ri i COVID-19 është përhapur edhe në Afrikën e Jugut si dhe në Japoni

Në anën tjetër, Kosova ende është duke u ballafaquar me shifra të larta të personave të prekur me COVID-19. Vetëm në 24 orëshin e fundit me koronavirus pozitiv janë konfirmuar 289 raste pozitive, ndërsa 14 persona e kanë humbur jetën./ KosovaPress.

Read Previous

​Shtyhet mbledhja e KQZ-së për certifikimin ose jo të kandidatëve për deputetë

Read Next

Kevin De Bruyne do të mbetet deri në gjashtë javë jashtë fushës