Në kuadër të sulmeve të pandërprera kibernetike kundër Ukrainës, hackerët rusë të mbështetur nga shteti janë përfshirë në “spiunazh strategjik” kundër qeverive, organizatave studimore e humanitare, dhe bizneseve në 42 vende që mbështesin Kievin. Të paktën këtë deklaroi Microsoft gjatë një raporti të publikuar së fundmi.
“Që nga fillimi i luftës, Rusia ka qenë e sukseshme në 29% të rasteve në sulmet e saj kibernetike ndaj aleatëve të Ukrainës, duke vjedhur të dhëna në të paktën 25% të ndërhyrjeve të suksesshme në rrjetet e këtyre entiteteve”, -thotë në raport Presidenti i kompanisë Microsoft, Brad Smith.
Gati dy të tretat e objektivave të spiunazhit kibernetik përfshinin vendet anëtare të NATO-s. Shtetet e Bashkuara ishin objektivi kryesor dhe Polonia, kanali kryesor i ndihmave ushtarake që shkojnë në Ukrainë, ishte objektivi numër 2 i sulmeve kibernetike të Rusisë. Në dy muajt e fundit, Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Turqia kanë parë rritje të sulmeve kibernetike ruse.
Microsoft tha se mbrojtja kibernetike e Ukrainës “rezultoi të ishte më e fortë” në përgjithësi sesa aftësitë e Rusisë në “valët e sulmeve kibernetike shkatërruese kundër 48 agjensive dhe ndërmarrjeve të veçanta ukrainase”.
Burimi: CNN, BBC