Paul Auster është një nga shkrimtarët më të suksesshëm në shekullin XX, por suksesi i tij nuk ka ardhur lehtë. Shpeshherë ai tregon sesi qëndronte 8 orë përpara fletores së tij dhe nuk shkruante më shumë se gjysëm faqeje. Duke përfituar nga eksperienca e shkrimtarit të “Trilogjisë Njujorkeze”, shkrimtarët e rinj duhet të mësojnë të qetësohen dhe të zbulojnë procesin e tyre të preferuar që t’u hapë rrugën drejt suksesit në botën e literaturës. Këto janë 5 këshillat e Auster:
1. Mos prit përsosmërinë, nëse fiksohesh pas detajeve nuk do prodhosh asnjë vepër
Teksa lexojmë librat e Auster është e vështirë të imagjinojmë sesi ai ndihej “i dështuar” në hapat e para të karrierës teksa rilexonte draftet e tij dhe gjente një mal me gabime, probleme me rrjedhën e ngjarjeve apo fjali naive. Dyshimet e mbajtën “peng” për shumë vite, ndaj Auster këshillon që pasioni për sukses duhet t’iu shtyjë dhe asnjëherë frika e dështimit. Kryevepra e tij “Qyteti prej Xhami” u refuzua nga dhjetëra shtëpi botimi, ndërkohë që sot është një nga emblemat literare të shekullit XX.
“Të pranosh pashmangshmërinë e dështimit është një ndjesi çlirimi për të gjithë autorët. Madje, një autor i mirë e kupton se papërsosmëritë e tij janë pjesë e formulës që e bëjnë të suksesshëm”.
2. Lejo pasionin të të udhëheqë
Mos mendo për utilitetin e letërsisë. Në rast se e sheh ftohtë dhe racionalisht të shkruash një histori fiktive është krejt e padobishme. Nuk bën punën as të mjekut, as të gazetarit, por thjesht shkruan diçka që në fund të ditës mund të mos lexohet nga askush. Ndaj, bëje me pasion dhe mendo për sadisfaksionin që procesi i shkrimit dhe produkti final të jep. Bëjë jo sepse duhet, por sepse ti do. “Të shkruash është një sëmundje vetmie. Këtë vetmi duhet ta dashurosh”.
3. Mos ki frikë improvizimet
Që të shkruash diçka nuk është e nevojshme që paraprakisht të planifikosh çdo detaj të ngjarjeve, personazheve dhe fundit. Ndonjëherë duhet të lesh lapsin, apo tastjerën të të udhëheqë dhe të krijosh duke shkruar. Disa nga idetë më brilante vijnë në shkrim e sipër dhe ndonjëherë planifikimi i tepërt thjesht të bën të ngurtë dhe të limiton. “Nuk ka një mënyrë të duhur për të shkruar. Gjej çfarë të përshtatet dhe mos dysho veten në çdo hap. Do të dyshojnë të tjerët aq sa duhet”.
4. Lexo!
Ndonëse Dostojevski ka thënë se nuk i duhet të vëzhgojë botën për të shkruar, sepse të vërtetat i vinin prej së brendshmi, le ta pranojmë… shumica prej nesh nuk janë si Dostojevski. Auster beson fuqimisht se për të shkruar një faqe duhet të lexosh 1000 dhe patjetër të lexosh nga të gjitha zhanerat pa diskriminim. Autorët klasikë si Kafka, Joyce, Dickens janë të rekomanduar, por nga çdo libër ka diçka për t’u mësuar.
5. Zgjidh lapsin jo tastierën
Procesi i shkrimit është më i plotë kur ne shkruajmë me dorë. Dredhimet e shkronjave, shënimet në kllapa, vijat agresive mbi gabimet na ndihmojnë të hyjmë në shpirtin e shkrimit. Pamja e bardhë, sanitare e Word-it, sipas Auster nuk është ideale për të nxitur krijimtarinë. Lapsi dhe fletorja mbeten të çmuara pra dhe në epokën e teknologjisë.