55 vjet nga themelimi i Universitetit të Prishtinës, Spiropali: Ngjarje historike me rëndësi për kombin

Foto: SHQIP.com

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali kujtoi sot mbledhjen e Kuvendit themelues të Universitetit të Prishtinës, një ngjarje historike e arsimore, me rëndësi kombëtare për Kosovën, por edhe për kombin shqiptar.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spiropali kujtoi se “si sot, 55 vjet më parë, më 15 shkurt 1970, u mbajt mbledhja e Kuvendit themelues të Universitetit të Prishtinës”.

“Universiteti i Prishtinës, i cili mban emrin e nderuar “Hasan Prishtina”, me 14 fakultetet dhe 158 programet e tij, është ndër qendrat më të mëdha e më të rëndësishme arsimore, shkencore e kulturore shqiptare”, vlerësoi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se përgjatë më shumë se gjysmë shekulli, Universiteti i Prishtinës ka arsimuar, formuar, edukuar dhe inspiruar dhjetra breza studentësh, pedagogësh e intelektualësh, personalitete të shquara të dijes, të luftës për çlirim, pavarësi, shtetformim, demokraci, zhvillim e progres, dhe ka shërbyer e vazhdon të shërbejë si një vatër e madhe e shqiptarisë.

“Urime studentëve e profesorëve, ish-studentëve dhe ish-profesorëve si edhe gjithë popullit të Kosovës, në vitin e 55-të të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina””, uroi Spiropali.

Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon.

UP është anëtar i Shoqatës së Universiteteve Evropiane dhe ka bashkëpunim me universitete dhe institucione perëndimore evropiane dhe amerikane.

U themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969. /ATSH/

Read Previous

OBSH-ja mbështet propozimin për vendosjen e etiketave paralajmëruese për kancerin në shishet alkoolike

Read Next

Kur do të prezantohet Android 16?