Në gjithë vendin dita-ditës është duke u rënduar situata me Covid-19 dhe po rriten kërkesat për hospitalizim. Ditë më parë drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka deklaruar se nga 780 sa janë gjithsej duke u trajtuar nëpër spitalet rajonale dhe QKUK, 36 pacientë janë në gjendje kritike. Fluksi i pacientëve është rritur edhe në spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë. Sipas drejtorit shëndetësor, Afrim Sylejmani gjithsej janë 80 pacientë të hospitalizuar që po trajtohen për Covid-19, prej tyre 64 pacientë janë të konfirmuar pozitiv.
Përkundër fluksit të pacientëve Sylejmani tha se spitali i Gjakovës po ofron shërbimet me të gjitha kapacitetet që ka për trajtimin e të infektuarve me koronavirus.
Sipas statistikave të IKSHPK-së deri më sot janë 11,736 raste aktive me coronavirus në Kosovë. Andaj profesionistët shëndetësorë apelojnë tek qytetarët që të respektojnë masat parandaluese të përhapjes së këtij virusi.