Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, do të rikthehet te Lazio pas një përvoje gjysmë-vjeçare në La Liga te skuadra e Mallorca-s.
Sulmuesi kosovar ishte ndër meritorët kryesorë që Mallorca qëndroi në elitën e futbollit spanjoll, i cili shënoi pesë gola dhe dhuroi tre asistime në 16 paraqitje.
Megjithatë, Muriqi nuk është aspak në planet e trajnerit të Lazio-s, Maurizio Sarri, dhe drejtuesit e klubit planifikojnë që ta shesin sulmuesin që e blenë për 20 milionë euro në shtatorin e vitit 2020.
Sipas asaj që shkruan gazeta italiane, “Corriere dello Sport”, drejtuesit e Lazio-s janë të gatshëm ta pranojë një ofertë prej 11 milionë eurosh për sulmuesin e dardanëve.
Nga ana tjetër, Mallorca kishte shfaqur interesim për blerjen e Muriqit, por thuhet se oferta e tyre ka qenë nën 10 milionë euro, e cila u refuzua nga presidenti i Lazio-s, Claudio Lotito.
Mbetet të shihet në ditët në vazhdim të afatit kalimtar veror se çfarë do të ndodhë me Muriqin, derisa interesim për të ka pasur edhe nga klubet e mëdha turke, ku mes tyre edhe ish-skuadra e tij, Fenerbahce. /Albanianpost.com