“Jam egjeli yt”, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që kërcënoi gruan dhe djalin

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit F.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën “dhunë në familje”.

Gjyqtari i procedurës, Gani Kastrati, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet prej datës 26 janar 2021 deri me datën 25 shkurt 2021.

I pandehuri, dyshohet me datë 25 janar, në shtëpi në mënyrë të vazhdueshme i shkakton dhunë psikologjike dhe fizike të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, në atë mënyrë që i pandehuri shkon i dehur në shtëpi, fillon ta fyej të dëmtuarën me fjalë ofenduese, dhe pastaj fillon duke e kanosur me fjalët “Unë jam egjeli yt, kam te ta nxjerr unë burgun ty”, e dëmtuara largohet nga shtëpia, pastaj kthehet pas 30 minutave, ku përsëri i pandehuri vazhdon me fyerje dhe fjalë ofenduese, aty ndërhyn djali i të pandehurit dhe e largon të pandehurin F.B., nga dhoma.

Po ashtu, më datë, 26 janar në shtëpinë e tyre, i pandehuri në mënyrë të vazhdueshme i shkakton dhunë psikologjike dhe fizike të dëmtuarit – djalit të tij në atë mënyrë që, deri sa i dëmtuari – djali i tij, ishte duke biseduar me nënën e tij, në ato momente ndërhynë i pandehuri, në prezencë të anëtarëve tjerë të familjes duke e kanosur se “të mbys me thikë” me ç ’rast tek i dëmtuari – djali i tij ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar edhe masat e tjera përpos masës së paraburgimit si arresti shtëpiak apo masa e paraqitjes në stacion policor, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt dhe normal të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale, ambientin e kryerjes së veprës penale, marrëdhëniet e acaruara ndërmjet të pandehurit dhe viktimës, sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm./KosovaPress

Read Previous

3 viktima dhe 316 raste të reja me COVID-19

Read Next

​KOK nënshkruan kontratën e radhës së sponzorizimit