Sot zyrtarisht ka nisur fushata zgjedhore për subjektet politike të cilat i hyjnë garës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Kosova asnjëherë më parë nuk ka mbajtur zgjedhje në kohë pandemie dhe me masat e vendosura nga qeveria në detyrë ndalohet grumbullimi i më shumë se 30 personave në ambiente të mbyllura, kurse 50 në hapësira të hapura.
Por, kjo nuk i ka ndaluar partitë që gjatë vizitave të tyre nëpër vend të mbledhin numër të madh të simpatizantëve.
Gjatë fushatës 10 ditëshe për zgjedhjet e 14 shkurtit mbetet të shihet se si do të bëhet organizimi i tubimeve në qytete të ndryshme të Kosovës.
Partitë politike, kandidatët për kryeministër dhe ata për deputetë kanë kohë për të shpalosur të gjitha premtimet dhe programet e tyre politike deri më 12 shkurt në 00:00 kur edhe fushata zyrtarisht merr fund.