Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur mbledhjen e radhës ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës. Aty u analizuan përgatitjet për fillimin e stinorit pranveror dhe u konstatua se organet relevante të FFK-së kanë kryer dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për fillimin sa më të mirë të garave. Gjyqtarët i kanë mbajtur testet e nevojshme dhe kanë treguar përgatitje shumë të mira, duke dëshmuar gatishmëri për fillimin e garave.
Po ashtu edhe klubet i kanë kryer përgatitjet e tyre, sikur edhe kanë bërë transferimet sipas nevojave të tyre. Kështu që, KE vlerëson se çdo gjë është e gatshme për fillimin e garave të stinorit pranveror dhe gjithnjë në përputhje me rrethanat dhe masat e Udhëzimit të IKSHP-s për Covid 19, përcjell KosovaPress.
Nga ky takim gjithashtu u bë e ditur se FFK do të vazhdojë përpjekjet dhe përgatitjet që sa më parë të instalojë edhe sistemin VAR, që do të ishte një ndihmesë e madhe në mbarëvajtjen e garave.
KE gjithashtu do t’i mbështesë klubet në pikëpamje financiare brenda mundësive të lejuara.