Kupa e Botës në Katar ka ofruar një festë futbolli, me tronditje, gola të shkëlqyer, festime të jashtëzakonshme dhe rekorde.
Këtu janë 10 nga pikat kryesore të zgjedhura nga ekipi i gazetarëve të “Reuters” që mbulojnë turneun.
Arabia Saudite mposht Argjentinën
Argjentina po luante ndaj Arabisë Saudite në ndeshjen e parë të Grupit C. Lionel Messi shënoi me penallti në pjesën e parë. Por “Skifterët e Gjelbër” përmbysën takimin në pjesën e dytë me golat e Saleh Al-Shehri dhe Salem Al-Dawsari.
Ecuria e argjentinasve në Katar 2022 ishte e dyshimtë pas atij rezultati, me tifozët saudit që kënduan me gëzim “ku është Messi?”.
Tifozët e Marokut
Mijëra prej tyre zbritën në Gjirin Arabik për të mbështetur “Luanët e Atlasit” dhe u shpërblyen pasi Maroku u bë vendi i parë afrikan dhe i pari arab që arriti në gjysmëfinale.
Zhurma që tiozët me të kuqe krijuan në stadiume ishte shurdhuese dhe arriti në kulm në ekzekutimin e penalltive ndaj Spanjës në 16-shen e fundit dhe kundër Portugalisë në çerekfinale, kur një kakofoni fishkëllimash përshëndeti çdo prekje të kundërshtarit, ndërsa Maroku mbronte epërsinë e tyre 1-0.
Pritja nervoze e Koresë së Jugut
Kur Hwang Hee-chan shënoi për Korenë e Jugut në ndeshjen e tyre të fundit të Grupit H, pjesa e vështirë sapo kishte filluar.
Më pas, lojtarëve koreanë iu desh të kalonin pothuajse 10 minuta në një grumbullim të ngushtë në rrethin qendror duke parë telefonat, duke shpresuar se Uruguai nuk do të shënonte një gol tjetër kundër Ganës.
Më në fund, me një vend në 1/16 të siguruar, ata vrapuan masivisht drejt tifozëve të tyre.
Kalimi ‘magjik’ i Messi-t ndaj Josko Gvardiol
I tillë ka qenë ndikimi i numrit “10” në Katar sa që shtatë herë fituesi i Topit të Artë mund të ketë shumë hyrje në listën e paharrueshme.
Por mënyra se si e dribloi mbrojtësin e Kroacisë, Gvardiol, më pas e ngacmoi atë me një kthesë elektrizuese për të shënuar golin e tretë në gjysmëfinale (3-0), përmbledh gjeniun 35 vjeçar.
Ronaldo largohet mes lotësh pas eliminimit të Portugalisë
Super ylli i Portugalisë u bë lojtari i parë mashkull që shënoi në pesë Kupat e Botës me një penallti kundër Ganës.
Por 37-vjeçari u la më pas jashtë formacionit fillestar dhe pasi ai nuk dukej në gjendje optimale. Ronaldo nuk arriti të shpëtonte skuadrën e tij pasi erdhi nga stoli në çerekfinale kundër Marokut, ku ata u eliminuan. Ai u filmua duke ecur nëpër tunel dhe duke shpërthyer në lot.
Gjyqtarja e parë femër në Kupën e Botës për meshkuj
Francezes, Stephanie Frappart iu dorëzua kontrolli i ndeshjes së fundit të Gjermanisë në Grupin E kundër Kosta Rikës, duke u bërë gjyqtarja e parë femër që gjykon në Kupën e Botës për meshkuj.
Trajneri i Kosta Rikës, Luis Fernando Suarez e përshkroi atë si një hap të madh përpara në “sportin seksist” dhe 39-vjeçarja Frappart dha një shfaqje të qetë dhe të sigurt në fitoren e Gjermanisë.
Japonia shokon Gjermaninë
Para fillimit të ndeshjes së tyre të grupit E, lojtarët e Gjermanisë mbuluan gojën në shenjë proteste ndaj kërcënimit të FIFA-s për sanksione kundër mbajtjes së shiritit “OneLove”.
Por ata mbetën të tronditur, pasi zëvendësuesit e Japonisë, Ritsu Doan dhe Takuma Asano siguruan një fitore të pamundur me përmbysje 2-1 për “Samurait Blu”, tifozët e të cilëve festuan fort përpara se të mblidhnin mbeturinat në stadium.
Ndeshjet finale në Grupin E
Një grup që filloi me humbjen e Gjermanisë ndaj Japonisë dhe Spanjës duke i shënuar shtatë gola Kosta Rikës, përfundoi në një natë të trazuar që pothuajse e ktheu botën e futbollit përmbys.
Gjermanisë i duhej një fitore ndaj Kosta Rikës dhe që Spanja të mundte Japoninë për të kaluar si nënkampione, dhe në pjesën e parë ishte pikërisht ajo që po ndodhte. Pastaj gjithçka u çmend.
Japonia shënoi dy gola në tre minuta në fillim të pjesës së dytë dhe Kosta Rika e ktheu lojën e saj kundër Gjermanisë për të epërsuar dhe për katër minuta tabela live tregoi Japoninë dhe Kosta Rikën në vendin e parë dhe të dytë me Spanjën dhe Gjermaninë duke shkuar në shtëpi.
Gjermania përfundoi duke fituar 4-2 për të shpëtuar ‘prestigjin’ e Spanjës, megjithëse ata ishin duke fluturuar për në shtëpi të nesërmen.
Mbappe shkatërroi Poloninë
Kylian Mbappe ka rritur reputacionin e tij si një nga lojtarët më të mirë në botë në Katar dhe francezi ishte thjesht i jashtëzakonshëm në 1/16 kundër Polonisë.
Së pari ai asistoi për Olivier Giroud që hapi rezultatin dhe më pas mori gjërat në duart e tij me dy gola të shkëlqyer për të vulosur një fitore 3-0. Shpejtësia e tij maksimale gjatë lojës arritu në 35.3 km/h.
Aboubakar i jep fitoren Kamerunit ndaj Brazilit dhe ndëshkohet me karton të kuq
Një fazë grupesh përfundoi në një mënyrë thuajse komike, teksa lojtari i Kamerunit, Vincent Aboubakar shënoi një gol në kohën shtesë kundër një Brazili të kualifikuar.
Ai hoqi fanellën e tij dhe iu dha menjëherë kartoni i dytë i verdhë nga një gjyqtar që i kërkon falje dhe i shtrëngoi dorën lojtarit. /Albanianpost.com