“Shqiptarët kanë qenë maqedonas”, libri skandaloz në gjimnazet e Maqedonisë së Veriut

Libri “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë” për vitin e II-të të gjimnazit të refromuar ka nxitur një debat të ashpër. Në këtë libër paraqitet një version tjetër për prejardhjen e shqiptarëve, sepse në të shkruhet se shqiptarët janë me origjinë nga Maqedonia e Veriut, por u bënë shqiptarë pas pushtimit osman.

Ky libër, i cili është shkruar mbi dezinformata, thotë se shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romët dhe turqit.

“Prej shqiptarëve të Maqedonisë ekzistojnë fise që e llogarisin vetveten si autokton. Kryesisht ata janë popullsi maqedone që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Midis tyre ka dhe ndonjë fis që ka prejardhjen turke, rome ose çerkeze”, thuhet në faqen 99 të këtij libri.

Sakaq në faqen 104 të librit thuhet se shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore duke nisur që nga viti 1780, duke keqtrajtuar vendasit.

“Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Për këtë shqiptarët i ka ndihmuar qeveria turke”, shkruhet në libër.

Libri i Gjeografisë që mësohet nga vitet e II është botuar në vitin 2002 dhe mban si autorë Dragan Vasileski, Bllagoja Markoski, Nikolla Panov, Nikolla Dimitrov e Gjorgji Pavllovski. Pavarësisht se nga Ministria e Arsimit të Maqedonisë së Veriut është premtuar prej kohësh se do të përmirësohen gabimet në tekstet shkollore, ky libër vazhdon të ribotohet me të njëjtën përmbajtje.

Read Previous

OBSH: Kujdes, vaksinat mund të krijojnë idenë e rreme të sigurisë

Read Next

Hoxhaj: BE-ja ka treguar se nuk është në gjendje të mbajë premtimet e saj