17 shkurti 2021 shënon ditën kur shteti i Kosovës mbush 13 vite prej kur është shpallur i pavarur. Të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë. Nga ai çast, Kosova u shpall e pavarur derisa në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri.
Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike. Ky proces u bë i zakonshëm në ditët e para pas pavarësisë, ndërsa deri më tash Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Vendi i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli.
Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti kanë ngritur flamurin shtetëror për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ngritja e flamurit shtetëror është bërë me ceremoni nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK).
Pas ngritjes së flamurit shtetëror, Osmani ka uruar Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
“Ngritja e flamurit shtetëror. Urime dita e pavarësisë së shtetit tonë të dashur”, ka shkruar Osmani. Pas kësaj Osmani ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka shkruar pas ngritjes së flamurit shtetëror tek Qeveria e Kosovës.
Hoti shkruan se “Me ceremoninë e ngritjes së flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së, filluam manifestimet për shënimin e 13 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës”.