Nga Helen Fisher/ Do t’ju flas për dashurinë në një mënyrë që ndoshta nuk jeni mësuar ta dëgjoni. Para së gjithash dua të them se jam një kërkuese shkencore dhe së fundi unë dhe kolegët e mi kemi vendosur 32 njerëz çmendurisht të dashuruar, nën një aparat rezonance magnetike.
Pse? Sepse është gjëja më përfshirëse në jetën tonë, ama dimë shumë pak për të. Nga këta persona, 17 ishin të dashuruar në mënyrë reciproke dhe po përjetonin një dashuri intensive, ndërsa 15 të tjerët ishin shumë të dashuruar, por prej pak kohësh i kishin dhënë fund marrëdhënies së tyre.
Ja se çfarë zbuluam: mesa duket, kur dashurohesh ndodhin disa gjëra shumë specifike. Fillimisht personi tjetër merr për ne një “kuptim të veçantë”. Lini mënjanë ato që nuk ju pëlqejnë dhe përqëndrohetni vetëm tek gjërat që pëlqeni te partneri. I jepni rëndësi dhe qëndroni zgjuar gjithë natën. Ecni deri në agim. Ndiheni euforikë kur gjërat shkojnë mirë, ndërsa gjallëria juaj bie kur gjërat shkojnë keq, një varësi e vërtetë nga ky person. Siç më tha një sipërmarrës në New York, “çdo gjë që i pëlqente asaj, më pëlqente edhe mua”.
Më pas, seksualisht bëheni tej mase posesivë. Nëse shkoni në shtrat me një njeri që nuk e doni, nuk ju interesojnë marrëdhëniet e tjera. Por nëse shkoni në shtrat me dikë që e dashuroni, bëheni shumë posesivë seksualisht. Mendoj se ka një qëllim darvinian në gjithë këtë, pra në mbajtjen bashkë të dy personave për të lindur fëmijë.
Por karakteristika kryesore e dashurisë është dëshira. Jo vetëm seksuale, por emocionale. Ai person bëhet motori i trurit tuaj. Mund të arrijë madje deri në fiksim. Kur njerëzit hynin në rezonancë magnetike, fillimisht u bëja pyetje të shumëllojshme, por pyetja më e rëndësishme ishte gjithmonë e njëjta: “Sa përqind të ditës dhe të natës kalon duke menduar për këtë person?”. Ata thoshin: “Gjithë ditën, gjithë natën. Nuk rresht së menduari për të.”
Pastaj, si pyetje të fundit u bëja një pyetje për të cilën më duhej përgatitje sepse nuk jam psikologe. Pyetja ime e fundit ishte gjithmonë e njëjta: “Do të vdisnit për të?” Dhe ata përgjigjeshin “Po” sikur t’i kisha kërkuar të më kalonin kriporen në tavolinë. U habita. Ta shohësh nga jashtë, e gjitha kjo është e çuditshme.
Kështu që analizoja trurin e tyre teksa shihnin foton e të dashurit a të dashurës, e më pas teksa shihnin një foto të çfarëdoshme për të vërejtur trurin si në nivel të eksituar ashtu edhe në gjendje pushimi. Pamë aktivitet në shumë pjesë të trurit. Në veçanti në zonën që aktivizohet më shumë kur perceptohet marrja e kokainës. Pak a shumë kjo ndodh. Pikërisht këtu pata një ndriçim të vërtetë.
Në një pikë të caktuar të eksperimentit kuptova se dashuria nuk është emocion. Kisha menduar gjithmonë se ishte një varg emocionesh, nga më pak deri te më shumë intensivet, por në të vërtetë është një impuls. Vjen nga motori i mendjes, nga ajo pjesë e trurit që aktivizohet kur mund të afrohesh të hash një çokollatë, kur do të arrish diçka: motori i trurit. Është një impuls dhe është më i fortë se impulsi seksual. Nëse i kërkoni dikujt të vijë në shtrat me ju dhe ju përgjigjet “Jo, faleminderit”, sigurisht nuk vret veten dhe as bie në depresion. Por kudo në botë njerëzit vrasin për dashuri, vdesin për dashuri.
Arrita kështu të mendoja se kanë të bëjnë tre sistemet e ndryshme cerebrale që janë zhvilluar nga binomi çiftëzim-riprodhim.
Së pari është shtytja seksuale, dëshira për lumturi seksuale. E dyta është dashuria, ajo eufori që ndihet në nisjen e një dashurie. Dhe së treti është përkatësia, ajo ndjenjë qetësie dhe sigurie që ndihet në krahët e një partneri të qëndrueshëm.
Pse i kemi këto tre impulse? Mendoj se shtytja seksuale ka evoluar me qëllim që të na bëjë të kërkojmë mes një numri të caktuar partnerësh, ndërsa dashuria besoj ka lindur për të përqëndruar dëshirën e çiftëzimit tek vetëm një njeri, duke kursyer në këtë mënyrë kohë dhe energji. Nga ana tjetër, përkatësia, sistemi i tretë cerebral, është zhvilluar për ta toleruar qenien njerëzore që keni zgjedhur aq gjatë sa të jetë kohë e mjaftueshme për të lindur një fëmijë nga çifti. Por sot bota po ndryshon dhe të gjithë shohim se “çifti” siç e kemi kuptuar gjithmonë, po kalon një moment të vështirë. Duket sikur asnjë nuk ka dëshirë të rrijë me dikë tjetër. Në fakt ka dy tendenca shoqërore më të thella që do të kenë impakt mbi këto tre sisteme të ndryshme cerebrale: kënaqësia seksuale, dashuria dhe përkatësia ndaj një partneri.
Tendenca e parë i takon hyrjes së gruas në forcën punëtore. Në 129 vende nga 130 gratë janë në tregun e punës, edhe pse shumë, shumë ngadalë, diferencat mes burrave dhe grave po zvogëlohen në termat e fuqisë ekonomike, shëndetit dhe arsimimit. Është një proces shumë i avashtë, por konstant.
Kjo po ndikon shumë te seksi, te historitë e dashurisë dhe të jeta familjare. Para së gjithash, gratë po fillojnë të shprehin seksualitetin e tyre. Kudo në botën perëndimore, vajzat po bëjnë seks më herët, kanë gjithmonë e më shumë partnerë, e përjetojnë më pak ndjesinë e fajit, martohen më vonë, kanë më pak fëmijë dhe lënë martesat e palumtura për të pasur martesa të tjera të lumtura. Jemi dëshmitarë të rritjes së shprehjes seksuale femërore. Por ama mendoj se martesat mund të bëhen edhe më të qëndrushme për shkak të tendencës së dytë, pra plakjes së popullsisë.
Në Amerikë flitet për një moshë mesatare deri ne 85 vjeç, sepse 40% e personave në moshën 76 deri në 85 vjeç nuk kanë probleme të rënda. Kam parë të dhënat e divorceve në 58 vende dhe mesa duket sa më i vjetër të jesh, aq më pak mundësi ka që të divorcohesh. Sot në Amerikë norma e divorceve është e qëndrueshme, ose, po nis të bjerë.
Por gjithsesi po shkojmë drejt një bote tjetër. Në një farë mënyre do të jetë më e mirë. Për shembull thuhet sy do të jetë shekulli i “martesave simetrike”. Është një martesë e barabartë, që synon të zhvillohet sipas një modeli sintonie dhe reciprociteti.
Por do të ketë probleme sepse për shekuj me radhë kemi injoruar gjysmën e popullsisë: gratë. Sot duhet të gjejmë mënyrën për t’i sheshuar këto probleme. Sinqerisht nuk mendoj se jemi kafshë të krijuara për të qenë të lumtur, jemi kafshë për t’u riprodhuar. Shijojmë lumturinë që jemi në gjendje të prodhojmë dhe që në çdo rast, zgjat shumë pak.
Por do ta gjejmë mënyrën për t’u dashuruar, siç kemi bërë gjithmonë, sepse një botë pa dashuri është një vend pa jetë.
*Helen Fisher është antropologe dhe studiuese e sjelljes njerëzore. Ka zhvilluar karrierën e saj akademike dhe të kërkimit shkencor në shumë prej universiteteve më të mëdha amerikane.