Selimi: Qasja e BE-së e padrejtë, Kosova humbet më shumë se Serbia

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka komentuar takimet e ditës së enjte të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë e me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve.

E sipas Selimit, këtu në këtë rast Kosova humbet më shumë se Serbia.

Kurti, ka insistuar në nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të prociesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë edhe “propozimin modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, porse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka refuzuar nënshkrimin e tekstit sikurse në takimet e mëparshme.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.

Sipas Selimit, kjo qasje e BE-së në këtë çështje, është e padrejtë, por jo diçka e papritur.

“Në fund të ditës, BE-ja thotë se nuk u arrit asnjë marrëveshje ‘sepse të dy palët vendosën parakushte’. Disi e padrejtë, por jo e papritur, meqë edhe Ohri ishte një marrëveshje pa nënshkrime, u bë një precedent i caktuar (i keq). Por, pata të drejtë që isha pesimist. Dhe këtu Kosova humbet më shumë se Serbia”, shkroi ai në platformën sociale, X. /Albanianpost.com

Read Previous

​Berisha: S’ka regjistrim të popullsisë më 1 nëntor

Read Next

Të hënën ​rifillojnë seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së