Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, beson se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, i cili pritet të implementohet në Kosovë, nuk duhet të ketë elemente ekzekutive, pra pushtete të tretë.
Ai ka dhënë edhe shembull nga Maqedonia e Veriut se si komunat nuk kanë kompetenca ekzekutive për të penguar zbatimin e vendimeve qendrore të shtetit.
“Komunat kanë të drejtën e Asociacionit të Bashkësisë së komunave të Pushtetit të Vetëqeverisjes Lokale, por në kontekst të funksionimit të shtetit, nuk kanë kompetenca ekzekutive që të pengojnë zbatimin e vendimeve qendrore të shtetit”, ka thënë ai në një intervistë për Tëvë1.
Kryeparlamentari Xhaferi ndër të tjera tha se ekziston potenciali që në një të ardhme të afërt Ukraina të lëvizë nga pozicioni i saj në raport me pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij Kievi zyrtar për shkak të gjendjes së luftës nuk ka hapësirë të merret me çështjen e njohjes konkretisht, por shtoi se dërgon porosi se në një kontekst kohor mund të reflektoj në njohje të Kosovës.
“Unë si kryetar Parlamenti dhe si Kuvend jemi pjesë përbërëse e platformës së Krimesë me dimension parlamentar, është viti i dytë që funksionojmë, takimi i radhës ishte në Pragë, drejtpërdrejtë nuk janë ngritë këto çështje për faktin që vet Ukraina nuk e ka luksin të merret në këtë moment me këtë çështje, por gjithsesi indirekt qojnë porosi apo merren porosi që në një kontekst kohor apo të raporteve mund të reflektojnë”. /Albanianpost.com