Kurti: Që të integrohemi ekonomikisht, së pari duhet ndaluar kërcënimet e sigurisë

Do të ishte mirë që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të lëvizin më lirshëm dhe gjithashtu tregu në mes gjashtë shteteve të jetë me i integruar, por që të ndodhin të gjitha këto, fillimisht duhet të pushojnë kërcënimet e sigurisë dhe lëvizja e lirë e mallrave të mos përdoret për “lëvizjen e lirë të armatimit”, ka thënë Albin Kurti, në tryezën që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku po marrin pjesë liderët e Ballkanit dhe zyrtarë ndërkombëtarë nga Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuar atë Amerikës.

Në kryeqytetin maqedonas po diskutohet për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, sipas të cilit BE ka paraparë ndarjen e gjashtë miliardë eurove si ndihma për projektet e shteteve.

Duke bërë referenca indirekte për atë çfarë ndodhi në Banjë të Zveçanit, Kurti një pjesë të fjalimit të tij e fokusoi në këtë aspekt të sigurisë, duke e vendosur si hap prelud dhe elementar që mundëson bashkëpunimin.

“Që rajoni të integrohet ekonomikisht duhet të ndalojnë kërcënimet e sigurisë. Integrimi më i thellë dhe lëvizja e njerëzve dhe të mirave kërkon besim të ndërsjellë dhe raporte normale në mes të institucioneve tona dhe njerëzve. Kjo s’mund të ndodhë, nëse liria e lëvizjes së mallrave, përdoret për të lëvizur armatim, apo të sponsorizohen sulme terroriste”, deklaroi Kurti.

“Normalizimi i raporteve i bazuar në njohje të ndërsjellë, besoj është çelësi që të hapet potenciali i rajonit dhe të rritet mirëqenien e njerëzve tanë”.

Kurti tregoi se Kosova po i përgatitë projektet e saj që kanë të bëjnë me infrastrukturë dhe energji të ripërtërihem dhe listën e tyre do ta dorëzojë së shpejti.

Vetë ndihmën financiare të BE-së Kurti tha se e sheh si “sens i urgjencës për zgjerim”, ndryshe nga Procesi i Berlinit që, sipas tij, ishte “mungesë e sensit për zgjerim”.

“Po, ne e mirëpresim edhe qasjen që të kushtëzon fondet e BE-së me vlerat e BE-së. Besojmë se anëtarësia në BE duhet të vije sipas meritave dhe të jetë e bazuar në vlera”, deklaroi kryeministri i Kosovës dhe shtoi se “ky plan i rritjes është edhe mundësi e bashkëpunimit dhe integrimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Sa për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të shteteve të Ballkanit, Kurti pohoi se kjo “është zgjedhje” e secilit, sepse “reprezenton strategji të një vendi”.

“Pra është e jona që të punojmë”, por “BE-ja (duhet) të gjykojë bazuar në merita”. /Albanianpost.com

Read Previous

Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?

Read Next

Histori Fshati – Damjan