Osmani: Ngjarjet e shkurtit 2000 në Mitrovicë, kujtesë e trishtuar e përpjekjes për mbrojtjen e lirisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar ditët e tmerrit të 3-4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, kur nga bandat kriminale serbe u vranë 10 civilë, 25 u plagosën, ndërkaq 1564 familje me 11364 anëtarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Ajo në një postim në Facebook ka thënë se vënia e autorëve të krimit para drejtësisë është domosdoshmëri në funksion të paqes afatgjate.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët më 3-4 shkurt 2000 në Mitrovicë”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i presidentes Osmani:

Në kujtim të dy netëve të tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë, sot nderojmë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, mes tyre pleq, gra dhe fëmijë, të cilët u vranë mizorisht nga bandat kriminale, të nxitura nga Serbia.

Respekt edhe për 25 të plagosur, të cilët mbijetuan dhe jetojnë ende me plagë fizike dhe emocionale nga nata e tmerrit.

1.564 familje me 11.364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre janë dëshmi e tendencës për spastrim etnik të kësaj pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale.

Ngjarjet e atyre dy netëve të tmerrit, shërbejnë si një kujtesë e trishtuar e përpjekjes për mbijetesë dhe për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë.

Vënia e autorëve të krimit para drejtësisë është domosdoshmëri në funksion të paqes afatgjate!

Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët më 3-4 shkurt 2000 në Mitrovicë!

Ndryshe, në natën mes 3 e 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës, ‘Rojat e urës’ vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.

Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.

Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MPB e Serbisë, në krye ish-komandantin Dragan Delibashiq, Oliver Ivanoviq dhe të tjerë. Gjykata Themelore në Mitrovicë më 2014 shpalli fajtor Ivanoviq me 9 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë. /KosovaPress/

Read Previous

Musliu i reagon BE-së: Kërkoni nga Serbia të shmangë provokimet në Kosovë

Read Next

Inteligjenca britanike: Rreth 1 mijë mercenarë Wagner janë vendosur aktualisht në Bjellorusi