Më 15 mars bëhen 22 vjet që nga rënia heroike e dëshmorit Yll Morina. Emrin e këtij heroi me krenari e bart edhe shkolla fillore e cila gjindet në Gjakovë. Sot në po këtë shkollë u shënua dita e shkollës, me ç’rast u prezantua edhe një dokumentar i përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle, si dhe u nderua lart kontributi i heroit Yll Morina në çlirimin e vendit. Të pranishëm në shënimin e kësaj date, përveç stafit të shkollës, ishin edhe kryetari Ardian Gjini, si dhe drejtori i arsimit në Gjakovë, Gjevalin Nikollbibaj. Berat Bejtullahu, drejtor i shkollës Yll Morina, theksoi se është krenar që drejton shkollën e cila nga viti 2004 me krenari bart emrin e dëshmorit të lirisë.
Kryetari Gjini potencoi se me punë të palodhshme që kryhet në këtë shkollë, nderohet edhe emri I Yll Morinës.
Yll Morina lindi në Gjakovë më 11 gusht të vitit 1972. Ai ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998 -1999. Pas plagosjes së gushtit të vitit 1998 ai u tërhoq për tu shëruar dhe vdiq në spitalin e Novi Sadit më 15 mars të vitit 1999, duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.