Në sallën e sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë është zhvilluar xhiroja e katërt e Play-Off-it në kuadër të Superligës së Kosovës në hendboll. Vëllaznimi priti mysafir skuadrën e KH Drenica. Qysh në fillim të lojës ekipi gjakovar po printe me gola. Me shpirt luftarak e shënime të sakta gjakovarët e mbyllën pjesën e parë me rezultat të favorshëm 25:11. Edhe pjesa e dytë e ndeshjes u karakterizua me lojë të pastër në parket. Kuqezinjët u shquan për shënime të sakta dhe lojë të shpejtë e shumë efikase. Hendbollistët më të dalluar të Vëllaznimit që shënuan më shumë gola ishin: Qlirim Rama 9 gola, Florian Rexha 9 gola, Ardi Halili 8 gola dhe Mali Luzha 7 gola. Përkundër perpjekeve të Drenicës , vendasit e mbyllën këtë përballje me rezultat të thelllë 48:22. Ani pse skuadra gjakovare po luan me lojtarë të rinjë në moshë ata përmes kësaj loje treguan se premtojnë shumë.
Mbrojtja e ngjyrave kuq e zi dhe ngritja në vendin e parë të tabelës mbeten synimi kryesor i Vëllaznimit.
Vlen të theksohet se skuadrat me traditë, Vëllaznimi e Prishtina do të luajnë ndeshjen e çerekfinales së kupës së Kosovës në Gjakovë. Sipas federatës këto ndeshje do të luhen më 24 e 25 mars.