Javën e ardhshme në gjyqin ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, do të dëshmojë tre dëshmitarë.
Lajmin për Albanian Post e kanë konfirmuar nga Gjykata Speciale, përmes një përgjigje me shkrim.
Nga Specialja kanë bërë të ditur se dëshmitari i parë dhe ai i treti ka të ngjarë që të dëshmojnë kryesisht në seancë private, ndërsa ai i dyti kryesisht në seancë publike.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 3 prill të vitit të kaluar në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, si të akuzuar për krime të pretenduara lufte.
Deri më tani në këtë proces gjyqësor kanë dëshmuar dhjetëra persona.
/albanianpost/