Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Swcharz, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën pas mesnatës, tha se Rusia ngeli e vetme në përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën, pas dështimit që të nxisë debat në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.
Ajo përshëndeti unitetin e partnerëve, miqve dhe aleatëve të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për moslejimin e mbajtjes së kësaj seance propagandistike – një tentativë e Rusisë për të ngritur paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes ushtarake dhe humanitare të aleatëve të NATO-s në Kosovë dhe luftës agresive për aneksimin e territorit të Ukrainës.
“Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën”, shkroi kryediplomatja kosovare pas votimit procedural të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nuk miratoi agjendën e përkohshme të rendit të ditës, ku ishte kërkesa e Rusisë për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për Kosovën dhe NATO-n./AlbanianPost.com