Në seancë të mbyllur, vazhdon dëshminë dëshmitari i 54-të në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Dhomat e Specializuara të Hagës; Foto: Betimi për Drejtësi;

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë dëshmitari i 54-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili mban kodin W04739 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmia e këtij dëshmitari, është duke u dëgjuar me ‘dyer të mbyllura’ për publikun, me arsyetimin për mbrojtjen e tij.

Para se të mbyllet seanca, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq kërkoi leje nga trupi gjykues që një jurist i tyre i cili nuk ishte bashkëmbrojtës, të bëjë pyetje për dëshmitarin.

Mishetiq tha se është konsultuar me Zyrën Administrative që sipas tij i kanë thënë se në aspektin ligjor nuk ka ndonjë problem.

Si rrjedhojë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se as për ata nuk ka ndonjë pengesë dhe se juristi mund të bëjë pyetje.

Ndryshe, dëshmia e këtij dëshmitari filloi të martën më 2 prill 2024 dhe pritet të vazhdojë edhe nesër. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

PSG me sytë nga Spanja, kërkojnë dy lojtarë të Barcelonës

Read Next

Papa dënon vrasjet e punonjësve të ndihmës dhe bën thirrje për paqe në Gaza dhe Ukrainë