Në portalin Gazetapacenzure.com, sot është publikuar një dokument që pretendohet dhe raportohet se është i shtatorit të vitit 19 shtator 1998 dhe ka të bëjë me një dëshmi të zëvendësministrit të tashëm Hysen Durmishi. Dëshmi kjo që pretendohet se është dhënë para policisë serbe në Ferizaj, po në këtë vit. Në dokumentin që është në gjuhën serbe shihet se Durmshi ka dëshmuar para policisë serbe për disa familjarë dhe miqë të tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Gazeta në fjalë ka publikuar sot këtë dokument, duke raportuar gjithashtu se kjo dëshmi e tij kishte ardhur pasi ai sipas tyre ishte larguar nga UÇK dhe më pas kishte ikur për Ferizaj dhe më pas ishte kapur nga forcat e Serbisë.
Në dokumentin e dëshmisë, shihen deklarata shokuese dhe shumë rënduese në ambientet e atëhershme të Sekretariatit të brendshëm serb të Ferizajit.
Durmishi atë kohë dëshmoi për familjarë dhe miq të tij që i kishte në UÇK.
Gazeta në fjalë ka publikuar origjinalin e dëshmisë por edhe atë të përkthyer, të cilën e gjeni më poshtë:
Dëshmia e përkthyer në shqip:
Më 19 shtator 1998, në Sekretariatin e Punëve të Brendshme (SPB) të Ferizajit, paraqitet Durmishi Hysen, nga babai Iljaz dhe nëna Sabrije, mbiemri i vajzërisë së nënës Buzhala, i lindur më 03.04.1972, në fshatin Mushtisht, komuna Suharekë, ku edhe banon përherë, shqiptar me kombësi, shtetas jugosllav, ka mbaruar shkollën e mesme, student i ndërtimtarisë në Prishtinë, i martuar, detyrim ushtarak i parregulluar, posedon letërnjoftim numër 76603 dhe me numër personal 0304972952035, lëshuar nga SUP Suharekë.
Nisur nga rrethanat, ai dha këto informata:
DEKLARATË
Mendoj se ka qenë në fillim të korrikut të vitit 1998, kur shkova në fshatin Mushtisht, komuna Suharekë, ku jetoj normalisht, dhe dëgjova se në fshatin Budakovë, komuna Suharekë ndodhej UÇK-ja. Gjithashtu, në fillim të korrikut 1998, i sugjerova kushëririt sim Blerim (Halil) Durmishi, që të shkojmë në fshatin Budakovë dhe të bashkohemi me UÇK-në. Në të njëjtën ditë kur i bëra propozimin Blerimit, unë dhe ai shkuam në fshatin Budakovë te daja im Skender (Man) Buzhala, dhe i thamë se kemi ardhur vullnetarisht, ai më tha të shkojmë te komandanti i UÇK-së në Budakovë. Daja Skënder më tha mua dhe Blerimit se do të shkojmë tek komandanti i UÇK-së Sadik (Maxhun) Halitjaha në Budakovë, dhe të bisedojmë me të për pranimin tonë në UÇK. Daja im dhe komandanti i UÇK-së njihen me herët nga koha kur punonin ne Zvicër. Pas kursit, në të njëjtën ditë, daja im shkoi në selinë e UÇK-së, e cila ndodhet në lagjen Palushve në fshatin Budakovë, kurse pas intervistës, komandanti i UÇK-së na tha se jemi të regjistruar dhe të pranuar nga komandanti i UÇK-së dhe se do të pozicionohemi në llogore dhe jo në rrugë, d.m.th. në dalje të Lagjes së Buzhalës, në drejtim të fshatit Vërenicë. Përveç kësaj, daja më tha se sigurimi në Budakovë është i përbërë nga dhjetë anëtarë, në një ndërrim në çdo gjashtë orë në fshatin Mohlan, lagjia e Buzhalevë drejt fshatit Vraniq, lagjia Hoxha, Kokollari dhe Suteni drejt fshatit Jezerc dhe nga fshati Budakovë drejt fshatit Bukosh. Të nesërmen, unë me Blerim Durmishin dhe tetë pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, nga ora 06.00 deri në orën 12.00 ishim në llogore në dalje nga Lagja e Buzhalës për siguri. Në sigurim ishim dhjetë veta, pos Senës dhe Blerimit, ishte edhe Hashim Berisha nga fshati Vraniq, komuna Suharekë, Sami Palushi nga fshati Budakovë, dhe reparti i komandant Izet (Iljaz) Buzhala, nga fshati Budakovë. Për tre ditë, njësia ime bënte sigurimin nga ora 18.00 deri në orën 24.00, dhe pas kësaj për tre ditë ishim në sigurim nga ora 12.00 pasdite. Në llogore, disa ditë kisha me vete një pushkë gjysmë automatike dhe më pas, një automatik të prodhimit kinez, automatikun me këmbë, një mitraloz dhe pushkë të tjera automatike në repart i mbante gjithmonë Azem (Muharrem) Demiri, të cilat armë janë përdorur. Në turnin tim tre-katër pjesëtarë të UÇK-së ishin të veshur me uniforma me shenja UÇK, ndërsa ne të tjerët bënim sigurimin me rroba civile për shkak të mungesës së uniformave.
Në turnin tim tre-katër pjesëtarë të UÇK-së ishin të veshur me uniforma me shenja UÇK, ndërsa ne të tjerët bënim sigurimin me rroba civile për shkak të mungesës së uniformave. Më kujtohet se turnin e kemi marrë nga Jahir Buzhala, nga Budakova, komandant i repartit të dytë, Ilir (Vehbi) Beljhi nga fshati Mushtisht, Bujar N. nga fshati Vraniq, komuna Suharekë, ndërsa emrat e tjerë nuk më kujtohen dhe turnin ia dorëzuam komandantit të UÇK-së të repartit të tretë, i quajtur Gashi nga fshati Dubravë, komuna Suharekë, Bekim Sopa, nga fshati Bukosh, komuna Suharekë, dhe Sami Hajdari nga fshati Gjinovcë, komuna Suharekë. Komandant i repartit të katërt në të njëjtin pikë kontrolli ishte Rexhë Buzhala.
Gjatë kohës së sigurisë na ka ardhur në kontroll komandanti i UÇK-së për fshatin Budakovë, Sadik Halitjaha, me prejardhje nga fshati Mushtisht, me shofer Fadil (Hamza) Halitjaha, pasi me ta kanë qenë një apo dy femra me uniforma të zeza me shenjat e UÇK-së.
Unë kam fjetur me dajën Skender Buzhala, ndërsa pjesëtarët e tjerë të UÇK-së që ishin nga fshatrat e tjera kanë fjetur në fshatin Budakovë në shtëpinë e Avdyl Buzhalës.
Siç thashë më parë, shtabi i UÇK-së gjindet në lagjen Palushve të fshatit Budakovë, në qendër të fshatit ku kam qëndruar pranë xhamisë, janë tri gra, e di që njëra prej tyre është nga Suhareka dhe quhet Selvija. Në UÇK, në Budakovë kam qenë nga fillimi i muajit korrik deri më 18 shtator 1998, kur i thashë dajës se do të shkoja në Prishtinë për të studiuar.
Daja im Skenderi e njoftoi komandantin e UÇK-së dhe menjëherë pas raportimit, unë dhe Blerimi shkuam nëpër pyjet e fshatit Budakovë, fshatit Papaz, fshatit Lanishtë e fshatit Petrovë.
Gjatë qëndrimit tim në UÇK në fshatin Budakovë, tri herë kam kaluar fundjavën në fshatin Mushtisht, me lejen që ishte firmosur nga komandanti i repartit, Izet Buzhala,
Daja im Skender Buzhala punonte me kompjuter për stafin e UÇK-së, kodi kompjuterik i të cilit ishte 486 dhe gjindej në shtëpinë e tij.
Në fshatin Budakovë, mbi lagjen Buzhalë, në një shtëpi dykatëshe, afër lumit ka qenë ambulanca, ku janë trajtuar pjesëtarët e plagosur të UÇK-së. E di që në të njëjtën klinikë janë trajtuar pjesëtarët e plagosur të UÇK-së. Doktor Ali Ibishi nga fshati Maqitevë, komuna e Suharekës, punonte atje.
Në fshatin Budakovë është një burg, ku mbahen personat e rrëmbyer dhe të sjellë. Mendoj që ndodhet në lagjen Palushve, afër selisë së UÇK-së, ku kanë akses vetëm komandantët e UÇK -së dhe për shkak të fshehtësisë, askush përveç Komandantit të UÇK-së s’e di se ku ndodhet burgu.
Babai im Iljazi, dhe vëllai Haxhim, të cilët janë të punësuar përkohësisht në qytetin Bled të Republikës së Sllovenisë, dhanë nga 500 DEM në emër të ndihmës së Bujar Bukoshit, e cila është në mërgim.
Nuk kam çfarë të them tjetër, deklarata nuk më është lexuar me zë, e kam përmbledhur dhe si e tillë e pranoj dhe e firmos personalisht.
Dhënësi i deklaratës
Durmishi Hysen
Këta e morën deklaratën
OSL
Dragan Jasovic
Sparavalo Momcilo
Darko Amanoviq
Ndërkaq zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka reaguar duke thënë se një dokument i tillë është i falsifikuar dhe shton se për të njëjtin ka pasur dijeni qysh para një viti, meqë ishte njoftuar nga një gazetar lidhur me ekzistencën e tij.
“Që ata mund të bien deri në këtë nivel sa të shërbehen me dokumente të falsifikuara në bashkëpunim me UDB-në, nuk do më shkonte mendja. Ky dokument që është publikuar po qarkullon nga dora në dorë qe një kohë. Për këtë jam njoftuar nga një gazetar para më shumë se një viti”.
Durmishi ka thënë se nuk shantazhohet nga “UDB dhe bashkëpunëtorët e tyre”, dhe shton se kjo po bëhet për shkak të pozicionit të tij politik.
Reagimi i plotë:
Nuk shantazhohem dot nga UDB dhe bashkëpunëtorët e tyre
Aktivitetin tim politik e në shërbim të atdheut e kam filluar para plot 36 vjetëve. Isha 16 vjeçar në atë kohë. Si 17 vjeçar u përjashtova nga shkolla dhe m’u ndalua shkollimi në gjithë Jugosllavinë e asaj kohe për shkak të organizimit të demonstratave të marsit të vitit 1989. Që nga ajo kohë e deri më sot nuk jam ndalur kurr. Dhe sot me bindje të thellë e theksoj që jam krenar për gjithçka kam bërë gjatë veprimtarisë sime. As edhe një gjë më të voglën nuk e kisha ndryshuar nga veprimet e mia deri më sot. Si nxënës isha në ballë të demonstratave dhe organizator i tyre, si student isha në ballë të demonstratave dhe organizator i tyre duke qenë kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Duke qenë student rashë në kontakt me ushtarë të UÇK-së së pari në zonën e Drenicës dhe përfundimisht u rreshtova si ushtar i UÇK-së me 26 qershor të vitit 1998 në batalionin e dytë të Budakovës nën komandën e komandantit Sadik Halitjaha. Kam qenë një ushtar që kam kryer detyra dhe respektuar urdhërat ushtarak me përpikmëri dhe për këtë mund të deklarohen të gjithë ata që kan qenë me mua në atë kohë. Jam arrestuar me 18 shtator të vitit 1998 bashkë me një shok timin të plagosur dhe kam kaluar nëpër burgjet në Kosovë e Serbi deri më 19 shtator të vitit 2000. Jam arrestuar në hyrje të Ferizajit në një pritë të organizuar. Ishim nisur për në Prishtinë me detyrë përmes një vendimi të lëshuar nga komandanti im Sadik Halitjaha. Atë vendim e kam pasur me vete kur jam arrestuar dhe për të mos rënë në dorë të policisë e kam gëlltitur. Për kohën e qëndrimit në burg gjithashtu i ftoj që të deklarohen të gjithë ata që kanë qenë me mua në burg. Që nga viti 2002 jam angazhuar për konceptimin, ideimin, organizimin dhe themelimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku jam edhe sot. Për të gjithë këtë veprimtari e kontribut timin jam i lumtur dhe shumë krenar.
Për shkak të pozicionit tim politik ka një kohë që organizohen sulme të parreshtura ndaj meje në format më të ulta të mundshme. E kuptoj sepse e di që jam pengesë për grupe të organizuara të krimit e korrupcionit, dhe lufta e pakompromis e imja është pengesë për ta. Që ata mund të bien deri në këtë nivel sa të shërbehen me dokumente të falsifikuara në bashkëpunim me UDB-në, nuk do më shkonte mendja. Ky dokument që është publikuar po qarkullon nga dora në dorë qe një kohë. Për këtë jam njoftuar nga një gazetar para më shumë se një viti. Nuk e kam marr seriozisht sepse është dokument i fallsifikuar. Ajo nuk është deklaratë e imja dhe as nuk është e nënshkruar nga unë. Aty shihen dy nënshkrime, njëri është me shkronja të mëdha e tjetri me të vogla dhe emri është Hisen e jo Hysen. Këtë dokument unë e kam parë për herë të parë para një viti dhe asnjëherë më përpara. Dhe më e rëndësishmja ky dokument nuk ka qenë asnjëherë pjesë e aktakuzës apo aktgjykimit tim. Aty në dokument përmenden emra të vërtetë që kanë qenë në atë kohë me mua në luftë por ka edhe emra që unë nuk i njoh fare. Kjo tregon që ky dokument është bërë më vonë duke paraqitur të vërteta të asaj kohe por edhe duke shtuar gjëra të pavërteta, që dikush kur e sheh një gjë të vërtetë ta besoj mandej krejt dokumentin.
Po të ishte i vërtetë ky dokument do të pësonte ndonjëri nga ata emra që përmenden në atë dokument. Asnjëri nga ata emra nuk është arrestuar. Dhe mos harroni një gjë që Serbia ka pasur shumë informata për neve në atë kohë sepse ne nuk kemi qenë organizatë ilegale, nuk kemi vepruar me maska dhe njerzit na kanë njohur sepse na kanë parë nëpër pika të kontrollit e istikame. Bashkëpunëtor të Serbisë ka pasur gjithandej dhe ata nuk kanë pasur nevojë që nga unë ti marrin këto informata.
Një sqarim për të gjithë qytetarët e këtë që do e them e kuptojnë më së miri bashkëvuajtësit e mi nëpër burgjet e Serbisë. Atë ditë, pra me datë 19 shtator të vitit 1998, unë kam qenë i torturuar në mënyrë çnjerëzore. 7 herë më kanë futur në rrymë dhe disa herë kam qenë i alivanosur. Unë as nuk kam qenë në gjendje që të nënshkruaj ndonjë dokument. Unë dhe shokët e mi pasojat e burgut i vuajmë edhe sot. Përveq tjerash unë sot me veshin e majtë dëgjoj vetëm 40%. Unë vetëm një frigë e kisha atë ditë. Nuk mendoja fare për vete. Frikësohesha që po zbulohet shoku im i plagosur se kush ishte. Ai ishte ushtar i njësisë “Shqiponjat e zeza” i plagosur dy herë në luftë. Ai nuk u zbulua atë ditë dhe as më vonë. Unë ndihem i lumtur që ai ka dalur nga burgu bashkë me mua dhe sot jeton në Kosovë. Krejt burgun e ka kaluar me emër tjetër dhe për këtë një kontribut të vogël e kam edhe unë. Këtë rast e dijnë të gjithë të burgosurit politik të asaj periudhe.
Sulmet ndaj meje për pjesën më të ndritur të historisë time, pra për luftën dhe burgun nuk ju ecin. Kot e keni ju dhe UDB me bashkëpunëtorët e saj. Shteti i Sërbisë më ndjek edhe sot e kësaj dite. 12 orë jam ndaluar në aeroportin e Stambollit para dy viteve, bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët e mi, për shkak të listave të Serbisë për ushtarët e UÇK-së. Prej Serbisë nuk pres asgjë të mirë asnjëherë, por nuk do të doja që këtë sulm ndaj meje ta bëjnë ata që flasin shqip.