Dina Titus, anëtare e kongresit amerikan nga radhët e demokratëve, duke komentuar ngritjen e pozicionit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, shkroi në platformën “X” të mërkurën se integrimi euroatlantik i vendit të vogël ballkanik është thelbësor për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Vendimi për ngritjen e statusit të Kosovës në anëtare të asociuar është një lëvizje pozitive e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Kosova, si një vend demokratik, ka dëshmuar se është një partnere e besueshme dhe integrimi i saj euroatlantik është kyç për stabilitetin rajonal”, shkroi kongresistja Titus.
Asambleja Parlamentare e NATO-s, krahu legjislativ që mbledh rreth vetes delegatë nga të gjitha vendet anëtare të aleancës, miratoi të hënën rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar – një hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë.
Në favor të avancimit të statusit të Kosovës votuan shumica e vendeve anëtare, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar nga votimi i 27 majit 2024, në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet u mbajt në Sofje të Bullgarisë. /Albanianpost.com