Rama: Ka ardhur koha të ndërtojmë një NATO të arsimit

“Ka ardhur koha të ndërtojmë një NATO të arsimit”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këtë të mërkurë të 29 majit në Konferencën Ministeriale të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë, zhvilluar për here të parë në rajon.

Në fjalën e tij Rama theksoi se e duhet më shumë bashkëpunim për një arsim më cilësor.

“Vendi ynë, vendet e BE, mund të jenë pjesë e këtij potenciali dhe të gjithë mundësive që ofron zona evropiane. Mund të them që e ardhmja nuk mund të mbrohet nga armët, por nga dija. Ka ardhur koha të ndërtojmë një NATO, të arsimit”.

Ky takim ka për qëllim afrimin ndaj vlerave themelore të arsimit, ndërkombëtarizimin, lirinë akademike, autonominë institucionale, dimensionin social dhe përgjegjësinë publike të arsimit të lartë.

Kryeministri vuri në dukje se, për vendin tonë ky është një moment përulës – “që të jemi vendi i parë që t’ju mirëpresim”.

“Falënderoj delegacionin nga Ukraina që kanë ardhur dhe gjithashtu dua të falënderoj presidentin e Këshillit të Lartë të Turqisë dhe ministrin e Arsimit të Hungarisë. I veçova sepse u jemi mirënjohës për gjithçka po bëjnë këto vende për të ndërtuar rrugëtimin tonë të arsimit. Turqia dhe Hungaria kanë qenë vende që kanë ardhur më shpejt se BE-ja”.

Në vazhdën e falënderimeve, Rama vlerësoi edhe figurën e Federica Mogherinit, e cila sipas tij ka bërë mirë që është shkëputur nga faza e sigurisë në BE dhe ka kaluar në fushën e arsimit.

Numri një i Qeverisë këmbënguli që vendet e rajonit të shohin nga e ardhmja dhe jo e shkuara.

Kjo pasi sipas tij, e  ardhmja është e vetmja hapësirë ku vendet do të gjejnë shumë arsye për t’u bërë bashkë, pasi e shkuara sjell vetëm ndasi.

“E ardhmja duhet të kontrollojë të shkuarën, e ardhmja duhet të jetë burimi i vendimeve tona të bazuara në informacion. Do duhet të jetë e ardhmja ajo që do vendosë se cila është e shkuara për ne. E ardhmja është e vetmja hapësirë ku ne mund të gjejmë edhe më shumë arsye për t’u bërë bashkë”. /Albanianpost.com

Read Previous

SHBA/ Argumentet mbyllëse në gjyqin penal kundër ish-Presidentit Donald Trump

Read Next

Mbeti jashtë listës për Euro 2024, reagon Hummels