Gjakovë- Dy persona janë arrestuar në Gjakovë për vjedhje të dyerve dhe dritareve nga ngrohtorja e qytetit dhe më pas dërgimin e tyre për t’i prerë në hekurishte.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të premten rreth orës 16:00 në rrugën “Adem Jashari” në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas Policisë, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe “Pranim i mallrave të vjedhura”.
“Pas një pune të suksesshme operative-hetimore me datë 08.06.2024 janë gjetur dhe konfiskuar një sasi e provave materiale (dyer dhe dritare të aluminit) të prera në një hekurishte pronë e të dyshuarit mashkull kosovar i cili është arrestuar. Është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili dyshohet se ka kryer vjedhjen në ngrohtoren e qytetit të Gjakovës dhe i njëjti i kishte dërguar në hekurishten e të dyshuarit të lartcekur”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, dy të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./betimiperdrejtesi.com/