Bislimi falënderon Suedinë për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën

Në ndërtesën e Qeverisë sot u zhvillua takimi vjetor me Suedinë. Delegacioni i Kosovës, kryesohej nga zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi.

Pjesëmarrës ishin dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka dhe zyrtarë të tjerë nga kabinetet qeveritare e zyrtarë civilë.

Nga ana tjetër, delegacioni suedez kryesohej nga ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, e ku pjesëmarrës ishin dhe përfaqësues të tjerë të lartë të ambasadës suedeze në Kosovë.

Përgjatë takimit, u diskutua mbi kontributin e Suedisë në zhvillimin e Kosovës, pasqyrën e strategjisë së bashkëpunimit zhvillimor të Suedisë, si dhe prioritetet e fushat e fokusit për periudhën 2021-2027. U trajtuan më tej më gjerësisht projektet e iniciativat ekzistuese dhe të mundshme në të ardhmen, me ndikim në të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit, barazinë gjinore, gjithëpërfshirjen, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mjedisin, si dhe zhvillimin ekonomik.

Bislimi e falënderoi shtetin suedez për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën. “Takimet e tilla vjetore janë mundësi e thellimit të partneritetit tonë, meqenëse ato shërbejnë për të reflektuar arritjet e deritanishme, sfidat gjatë zbatimit të projekteve si dhe diskutimit të mundësive që paraqiten për të ardhmen,” u shpreh zëvendëskryeministri.

Në vijim, ai nënvizoi synimin strategjik për rritjen e ndikimit të projekteve të ndryshme, duke i ndërlidhur ato edhe me reformat, të cilat po i ndërmarrim në kontekst të procesit të integrimit evropian dhe të zhvillimit të vendit./Klankosova.tv

Read Previous

BE-ja i del në mbrojtje Qipros pas kërcënimit nga Hezbollahu

Read Next

Në EURO 2024 sërish po vazhdon fushata anti-Kosovë