​Synimet e Kosovës në FIBA Kampionatin Evropian të basketbollit

FIBA Kampionati Evropian i basketbollit për Shtete të Vogla – Femrat 2024, do të mbahet më 25-30 qershor 2024, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Vashat “Dardane”, po përgatiten me intensitetin më të lartë për këtë kampionat, ky synohet përfaqësimi sa më dinjitoz i vendit.

Në garën e këtij viti do të marrin pjesë tetë shtete: Qipro, Malta, Kosova, Gjeorgjia, Norvegjia, Shqipëria, Andorra dhe Armenia.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu ka thënë për KosovaPress, se mosha e lojtarëve është e re, rezultati nuk është primar në këtë kampionat.

“Është me rëndësi që këto vajza të cilat janë të reja në moshë të tregohen para publikut të vet dhe para një organizimi të mirëfilltë nën ombrellën e Federatës së Basketbollit të Kosovës. Rezultati nuk është për momentin diçka që ne e kërkojmë me ngulm dhe me çdo kusht, ajo që kërkojmë është paraqitje e mirë dhe përgatitje e kësaj ekipe e cila është sigurisht më e reja që do të jetë në këtë kampionat”, tha Fetahu.

Trajneri i sapo emëruar në krye të Kosovës, kroati Viktor Kovac, bëri të ditur se skuadrës për shkak të lëndimeve do t’i mungojnë basketbollistet, Saranda Daci dhe Zërina Shatri, dhe kjo do të shkaktojë probleme në skuadrën e tij.


“Jemi duke punuar shumë. Unë mendoj se lojtaret që janë këtu do të jetë të gatshme. Natyrisht që nga fillimi ne kemi disa probleme të vogla sepse Saranda Daci nuk është këtu dhe gjithashtu Zërina Shatri, dy lojtarë që unë po i pres. Kjo na shkakton në pozitat tona qendrore, por lojtarët që janë këtu po punojnë shumë, shumë mirë dhe shpresoj që do të jemi maksimalisht të përgatitur që nga fillimi dhe do të shohim se çfarë mund të bëjmë”, theksoi Kovac.

Por basketbollistja, Malvina Haziri është shprehur e bindur për sukses në këtë kampionat duke kërkuar edhe mbështetjen sa më të madhe nga ana e publikut gjatë ndeshjeve.

“Atmosfera në ekip është shumë e mirë, ndoshta edhe shkaku i moshës së lojtarëve që janë, është një përzierje, ka lojtaret të reja, por edhe të vjetra me përvojë…Normal që presim të kemi sukses, ai është synimi ynë, kem i filluar të përgatitemi për ato, t’ua përcjellim lojërat atyre për t’u bërë gati, por pavarësisht asaj, neve na mbetet ta kryejmë pjesën tonë…Është shumë e rëndësishme edhe mbështetja e publikut dhe shkaku që po mbahet në Prishtinë, në Kosovë, i ftojmë të gjithë që të vijnë dhe të na mbështesin”, theksoi Haziri.

Përkrahjen e publikut e kanë kërkuar gjithashtu edhe trajneri Kovac dhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, derisa kjo është hera e parë një kampionat i këtij niveli të basketbollit organizohet në Kosovë. /KosovaPress/

Read Previous

Ministri gjerman: Tarifat e BE-së ndaj Kinës nuk janë “dënim”

Read Next

Kurti: Kemi ndarë mbi gjysmë milion euro për digjitalizimin e shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare