Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë në një linjë sa i përket Asociacionit, të dy deklarojnë se Serbia ka hequr dorë nga marrëveshja.
Lidhur me këtë çështje, liderët e vendit janë pyetur të hënën, në intervista të ndara, Osmani në Radio Evropa e Lirë dhe Kurti në Zërin e Amerikës.
Sa i përket dërgimit të draft-statutit të Bashkimit Evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, Osmani tha se nuk ka hezitim, por se ai ekziston te zbatimi i njëanshëm i Marrëveshjes bazë, ku, sipas saj, Serbia ka hequr dorë nga marrëveshja.
Osmani tha se është duke diskutuar me aleatët ndërkombëtarë që Kosovës t’i ofrohen garanci të sigurisë dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare nëse nga Kosova kërkohet të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit.
Presidentja Osmani, po ashtu tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë.
“Duhet, siç e parasheh edhe vetë plani i zbatimit të marrëveshjes së arritur në gushtin e vitit 2016, të kemi vlerësime të përbashkëta të sigurisë me partnerët tanë, dhe pas atyre vlerësimeve dhe planit të përbashkët, ajo do të përcaktojë pastaj datën”, deklaroi presidentja Osmani në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Ndërsa, kryeministri Kurti pohoi se Kosova respekton marrëveshjen ndërsa Serbia duhet të kthehet te marrëveshja.
“Është e vërtetë që ka kaluar një vit e gjysëm që kur ne kemi bërë marrëveshjen në Bruksel, marrëveshja bazike, së cilës iu bashkëngjit edhe aneksi i zbatimit, nga Ohri. Ne e respektojmë marrëveshjen, ne jemi të gatshëm që ajo të zbatohet, por nuk mund të kemi partneritet në zbatim, përderisa ka mosrespektim.
Në dhjetor të vitit të kaluar ish-kryeministrja e Serbisë Bërnabiç, praktikisht me letër publike dhe zyrtare drejtuar 27-es së Bashkimit Evropian, u tërhoq në emër të Serbisë nga marrëveshja bazike. Pra Serbia duhet të kthehet tek marrëveshja, ta respektojë atë, në mënyrë që ta zbatojmë. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë edhe 39 marrëveshjet e mëhershme që pararendësit e mi i kanë bërë në Bruksel. Unë jam shumë i interesuar përveçse i gatshëm, që t’i trajtoj ato me përpikmëri dhe përkushtim, në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të cilat natyrisht në zemër të tyre duhet të kenë atë që siç e ka quajtur Presidenti amerikan Biden, njohje reciproke, pra ku Kosova e njeh Serbinë sepse Serbia e njeh Kosovën”, ka deklaruar Kurti në Zërin e Amerikës./Reporteri.net/