Mbi 80 për qind e grave në Kosovë nuk janë pjesë e tregut të punës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Që kur ASK-ja ka filluar grumbullimin e të dhënave për shkallën e punësimit të qytetarëve të Kosovës në vitin 2012, burrat kanë qenë të punësuar në shkallë dukshëm më të larta se gratë.
Muajin e kaluar u publikua Anketa e fundit e Fuqisë Punëtore, ku shihet se mbi 53 për qind e burrave në Kosovë dhe më pak se 20 për qind e grave janë të punësuar.
Matja e shkallës së punësimit në Kosovë vlerësohet si proces i vështirë për shkak të tregut joformal të punës.
Shumë qytetarë të Kosovës nuk marrin kontrata pune dhe nuk regjistrohen si punëtorë në kompanitë ku punojnë. Në shumë raste, kjo bëhet për të mos e humbur asistencën sociale mujore apo për t’iu shmangur pagimit të taksave.
Gjithsej, 42 për qind e kosovarëve vlerësohet se janë të përfshirë në tregun joformal të punës, sipas një studimi të sivjetmë të Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK). Më të cenuarat rezulton të jenë gratë që jetojnë në zonat rurale.
Pa pasur kontribut të njohur në tregun e punës, gratë nga mosha 65 vjeçe marrin vetëm pensionin bazik të moshës, që është 100 euro në muaj.
Pension më të lartë – atë si kontributdhënës – gëzojnë ata persona që kanë qenë aktivë në tregun formal të punës.
Në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara në tetor të vitit 2022 nga Instituti Musine Kokalari, puna e papaguar e kujdesit shtëpiak arrin vlerën mbi 1.8 miliard euro.
Ai raport tregonte se gratë kalojnë mesatarisht 6.2 orë në ditë duke u përkujdesur për familjarë apo për shtëpi, ndërsa burrat 3.5 orë.
Raporti i sivjetmë i RRGK-së tregon se edhe burrat, edhe gratë ndihen të mbingarkuar nga puna në shtëpi – gjë që i shtyn të mos jenë aktivë në tregun e punës.
Por, për gratë, arsyeja e dytë më e shpeshtë është kujdesi për familjarë, në krahasim me burrat që kanë dhënë si arsye studimet akademike.
Si mund të zgjidhet ky problem?
Të dhënat tregojnë se gratë në Kosovë janë më pak aktive edhe në kërkim të vendeve të punës, në krahasim me burrat.
Dallimi më i madh në shkallën e punësimit të burrave dhe grave vërehet në grup-moshën 35-44 vjeçe, kur shumë prej tyre bëhen prindër.
Nënave lehona në Kosovë u takojnë 12 muaj pushim, prej të cilëve nëntë muajt e parë janë me pagesë.
Në anën tjetër, babai i fëmijës ka të drejtë vetëm në dy ditë pushim me pagesë pas lindjes së fëmijës dhe dy javë pushim të papaguar. Të drejtat e pushimit të nënës mund të barten te babai i fëmijës vetëm në rastet kur nëna vdes, braktis fëmijën ose prindërit merren vesh mes vete.
Ndryshimi i kësaj skeme është në plan të Qeverisë që një kohë, por ai nuk është finalizuar asnjëherë.
Në tetor të vitit 2022, Inspektorati i Punës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë se ndryshimi i kësaj skeme të pushimit prindëror është përfshirë në draftin e ri të Ligjit të Punës.
Megjithatë, këto ndryshime nuk i kanë kaluar ende procedurat e nevojshme ligjore për të hyrë në fuqi, raporton REL.