Namibia planifikon që të therë 723 kafshë të egra, përfshirë 83 elefantë, dhe mishin t’ua shpërndajë njerëzve për t’u ushqyer për shkak të një thatësie të madhe që po mbretëron në pjesën jugore të Afrikës, njoftoi Ministria e Mjedisit.
Therja e kafshëve do të bëhet në parqe dhe zona komunale, ku autoritetet besojnë se numri i kafshëve e tejkalon sipërfaqen e mjaftueshme për kullotje dhe furnizimin me ujë, thuhet në një deklaratë të lëshuar të lëshuar të hënën, raporton agjencia “Reuters”.
Pjesa jugore e Afrikës po ballafaqohet me thatësinë më të madhe në disa dekada. Namibia muajin e kaluar shfrytëzoi 84 për qind të rezervave ushqimore, sipas Kombeve të Bashkuara.
Gati gjysma e popullsisë së Namibisë pritet të përjetojë nivele të larta të pasigurisë ushqimore në muajt e ardhshëm.
Ministria e Mjedisit tha se në këtë thatësi të madhe, konfliktet mes njeriut dhe botës së egër pritet të shtohen, nëse autoritetet nuk ndërhyjnë.
“Për këtë efekt, 83 elefantë nga zonat e identifikuara të konfliktit do të theren, mishi do të ndahet për programin lehtësues të thatësisë” – thuhet në deklaratë.
Autoritetet gjithashtu planifikojnë që të therin 30 hipopotamë, 60 buaj, 50 impala, 300 zebra dhe disa kafshë të tjera.
157 kafshë tashmë janë gjuajtur nga gjahtarë profesionistë dhe nga kompani të kontraktuara nga autoritetet, duke siguruar mbi 56 mijë e 800 kilogramë mish. /Nacionale/