Një mbledhje e beftë e Qeverisë dhe rinisje e sesionit të ri parlamentar në Shqipëri.
Shtatori do ta rikthejë aktive jetën politike shqiptare, me disa ngjarje të rëndësishme, të cilat pritet të mbahen që me hapjen e muajit.
Të dielën e 1 shtatorit, do të jetë kryeministri i vendit, Edi Rama, ai i cili do të zhvillojë një mbledhje të Qeverisë, për të koordinuar detajet e fundit përpara rinisjes së sesionit Parlamentar.
Mbledhja, siç bëhet me dije, do të zhvillohet në zonën e Dajtit, teksa një ditë më pas do të marrë frymë edhe Parlamenti, me seancën e parë të këtij sesioni.
Ky i fundit pritet të jetë i ngarkuar në punime, duke parë një sërë çështjesh madhore, që duhet të marrin zgjidhje.
E para lidhet me mandatin e Olta Xhaçkës, ku më në fund socialistët dhe demokratët kanë rënë dakord që mandati i saj ti nënshtrohet – për një herë të dytë – votës së deputetëve. Këta të fundit do të vendosin nëse mandati i saj do të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, apo jo, me herën e parë ku diçka e tillë u refuzua.
Kushtetuesja e ka bërë me dije tashmë dy herë vendimin e saj, ku theksohet se mandati i Xhaçkës duhet të shqyrtohet nga ata dhe të vendoset nëse është në përputhshmëri, apo i papajtueshëm me Kushtetutën.
Një tjetër çështje, është edhe ajo e zgjedhjet së Avokatit të Popullit, për shkak të mungesës së konsensusit rreth një emri të vetëm nga dy palët. Mandati i drejtueses aktuale të institucionit, Erinda Ballanca, ka përfunduar prej majit të vitit 2022, por ajo ende e mban pozitën, për shkak se nuk ka votim për një pasues.
Nga ana tjetër, ky sesion është edhe ai, i cili i paraprin zgjedhjeve të përgjithshme 2025. Ndaj, pritet që të ketë debate të shtuara dhe një aksion më të fortë opozitar. Diskutimet për Reformën Zgjedhore janë në fazë disi më të avancuar dhe mund të ketë rezultate më konkrete, mbi të gjitha për të parë mundësinë e një përfshirjeje më të gjerë të reformave.
Dakordësia ka qenë e pjesshme, me palët që kanë vendosur kryesisht për listat zgjedhore dhe për votën e diasporës. Vend megjithatë ka edhe për më shumë.
Në të fundit, Parlamenti e nis sesionin e ri me një kryetare të re. E zgjedhur pas dorëheqjes së papritur të kryetares së shkuar, Lindita Nikolla, do të jetë Elisa Spiropali, ajo e cila do të jetë në drejtimin e seancave për vitin e mbetur.
Duhet parë nëse do të ketë apo jo një dinamikë të re Kuvendi me zgjedhjen e saj. /Albanianpost.com