Moratoriumi 1-vjeçar përfundon në shtator të këtij viti, çka edhe i mundëson Kosovës që prej këtij muaji të aplikojë për t’u bërë pjesë e mekanizmave ndërkombëtar.
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) nuk ka qenë e qasshme për të treguar nëse do të fillojnë përgatitjet për aplikim në organizata ndërkombëtare.
Njohës të së drejtës ndërkombëtare apelojnë institucionet e vendit që të fillojnë sa më parë procesin e lobimit, në mënyrë që Kosova para vitit të ri, të anëtarësohet në ndonjë nga mekanizmat ndërkombëtar, pasi moratoriumi 1-vjeçar për këtë çështje, i dalë nga Marrëveshja e Uashingtonit përfundon në shtator.
Profesori universitar, Afrim Hoti thotë se para marrjes së vendimit përfundimtar duhet të ndërmerren një varg veprimesh dhe aktivitetesh, të cilat duhet t’i bindin shtetet që të mbështesin Kosovën për të qenë pjesë e mekanizmave ndërkombëtare.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP), thotë se Kosova nuk duhet t’i bëjë gabimet e së kaluarës, porse duhet të aplikojë në organizata ku e di se ka mbështetje.
Sipas tij, ka një sërë organizatash, ku Kosova mund të aplikojë, e që ka gjasa më të mira për anëtarësim.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, ku mundësia e votimit dhe përkrahjes nga aleatët mund të sjellë ndonjë pranim.
Lidhur me respektimin e Marrëveshjes së Uashingtonit flet edhe Emir Abrashi nga Demokracia Plus, i cili thotë se si e tillë kjo marrëveshje duhet të respektohet. Sipas tij, nëse Serbia nuk i përmbahet kësaj të fundit, njëjtë mund të bëjë edhe Kosova.
Ai thotë se moratoriumi i cili skadon në shtator nuk e ndalon qeverinë që të lobojë në mënyrë që pas përfundimit të këtij afati, Kosova të mund të gëzojë anëtarësim në ndonjë nga mekanizmat ndërkombëtar.
Më 4 shtator të vitit 2020, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Marrëveshja përmban disa pika në të cilat të dyja palët obligohen t’i përmbahen asaj, ndërsa njëra nga to thotë se “Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”./KosovaPress