Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve “Anadolu” të enjten, ka deklaruar se Turqia është një vend që historikisht ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, derisa i ka cilësuar vëllazërore marrëdhëniet biletarale ndërmjet dy shteteve.
“Ne jemi një vend që historikisht e kemi mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka theksuar kryediplomati turk, derisa ka folur për çështjet rajonale. Gjithashtu, ai ka shtuar se Turqia çdoherë do të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës.
“Të kesh marrëdhënie vëllazërore me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, që është obligimi ynë historik, por të vendosësh marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, është reflektim i lidershipit të fuqishëm politik”, ka nënvizuar mes tjerash shefi i diplomacisë turke, i cili ka qëndruar në Prishtinë javë më parë./Albanianpost.com