Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me të dërguarin e posaçëm britanik në Ballkan, Stuart Peach, ku më së shumti është përfolur për sigurinë në rajon.
Biseda u fokusua në situatën e Ballkanit Perëndimor në kontekstin e zhvillimeve rajonale dhe globale, ku u theksua rëndësia e integrimit Euroatlantik përballë pasojave të ndikimit të aktorëve të tretë.
Në këtë kontekst, u theksua se vendet e rajonit duhet të vijojnë të kenë të linjëzuar politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me politikat e përbashkëta të Bashkimit Evropian.
Rëndësi iu kushtua nevojës për investime në infrastrukturë, që do të mundësonin forcimin e marrëdhënieve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe Korridorit VIII, një projekt që afron vendet midis Adriatikut dhe Detit të Zi.
With my dear friend, the UK Prime Minister's Special Envoy to the Western Balkans, Lord Stuart Peach.
We discussed the importance for policy alignment among all Western Balkan countries with the EU, the importance of investing in infrastructure, and the progress of Corridor 8. pic.twitter.com/9vhoOQBx7L— Bajram Begaj (@BajramBegajAL) September 23, 2024
Gjithashtu, ndryshimet e reja në strukturat evropiane u vlerësuan si një mundësi për përfitim nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Shqipërisë i shprehu Lordit Peach mirënjohje për angazhimin dhe përpjekjet e tij si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor, për forcimin e stabilitetit rajonal, atë të institucioneve demokratike dhe ndihmën për trajtimin e sfidave të tjera të përbashkëta të sigurisë.
Një vlerësim të veçantë Presidenti Begaj shprehu për kontributin e dhënë me trupa në KFOR për ruajtjen e sigurisë në Kosovë. /Albanianpost.com