Deschamps lë jashtë Mbappe-n, Franca përballet me Izraelin dhe Belgjikën pa kapitenin

Franca do të luajë pa kapitenin e saj, Kylian Mbappé, në dy ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, kundër Izraelit dhe Belgjikës. Lajmi është konfirmuar nga “L’Équipe”, e cila raporton se Didier Deschamps do ta bëjë zyrtare në orën 14:00 gjatë shpalljes së listës së lojtarëve dhe konferencës për shtyp.

Vendimi është marrë në koordinim me lojtarin dhe Real Madridin, pasi kombëtarja franceze dëshiron t’i japë pak kohë pushimi Mbappé-së, i cili po rikuperohet nga një dëmtim i lehtë në kofshën e majtë, pësuar më 24 shtator kundër Alavès. Mbappé mungoi në derbin kundër Atlético Madridit fundjavën e kaluar, por u kthye në fushë në Champions League kundër Lille, ku luajti si zëvendësues.

Megjithatë, për rreth gjysmë ore aktivizim, ai nuk pati ndikim të madh në lojë dhe u vërshëllye nga tifozët. Mbappé nuk realizoi asnjë gjuajtje në portë dhe dukej i lodhur, larg formës së tij më të mirë. Me gjasë, ai nuk do të aktivizohet as në ndeshjen kundër Villarrealit në fundjavë, si masë parandaluese për të mos përkeqësuar dëmtimin në kofshë. /Telesport.al/

Read Previous

Tiranë| Arrestohet një person, thyente iCloud-in dhe merrte të dhënat e qytetarëve

Read Next

Rumania i dërgon Ukrainës një sistem Patriot