Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Laurynas Kasčiūnas tha për Euronews se lejimi i Ukrainës në NATO është mënyra e vetme për të parandaluar agresionin rus, pasi aleatët perëndimorë të Ukrainës janë në mëdyshje për lejimin e vendit të shkatërruar nga lufta në aleancë.
“NATO duhet t’i japë një ftesë për anëtarësim Ukrainës si pjesë e garantimit të sigurisë së saj në të ardhmen,” tha për Euronews ministri lituanez i Mbrojtjes Laurynas Kasčiūnas.
Kasčiūnas tha gjithashtu se “Rusia duhet të dijë se nuk mund të ketë një ‘veto’ mbi një vend tjetër, ose mbi madhësinë e ardhshme të NATO-s”.
“Lituania gjithmonë ka mbështetur ftesën e Ukrainës në NATO, sepse sipas nesh, ju nuk mund t’i dërgoni mesazh Rusisë se kanë të paktën të drejtën joformale të vetos për zgjerimin e NATO-s”, tha ministri.
“Është gabimi më i madh”, shtoi ai.
Ai foli pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy prezantoi planin e tij të Fitores homologëve të BE-së dhe aleatëve të NATO-s, i cili përfshin një ftesë për Ukrainën që përfundimisht të anëtarësohet në NATO.
Megjithatë, ndërsa Lituania mund të jetë në mesin e disa vendeve që e shohin një ftesë ukrainase për anëtarësim si një politikë moralisht të drejtë dhe të shëndoshë taktikisht, ka aleatë të tjerë si SHBA-të që mund ta shohin atë si një provokim ndaj Rusisë.
Përveç kësaj, aleatë të tjerë si Hungaria dhe Sllovakia janë aktivisht kundër propozimit.
Në 75-vjetorin e Samitit të NATO-s në Uashington DC korrikun e kaluar, Ukrainës iu tha se ishte në një “urë të pakthyeshme” drejt anëtarësimit, por që nuk kishte një ftesë zyrtare.
Megjithatë, Kasčiūnas tha se një ftesë për t’u anëtarësuar nuk është e njëjtë me anëtarësimin e plotë pasi do të duhen disa vite që Ukraina të përmbushë nivelet e mjaftueshme të ndërveprimit dhe standardet e aleancës. Megjithatë, do t’i dërgonte sinjalin Rusisë dhe Ukrainës për ‘pakthyeshmërinë’ e drejtimit perëndimor të Ukrainës dhe sovranitetin e pavarur.
“Kombi ukrainas, i cili lufton për pavarësinë e tij, por gjithashtu lufton për sigurinë tonë, meriton të drejtën e vetëvendosjes. Një ftesë nuk është anëtarësim, por është një pikë pa kthim. Është e pakthyeshme. Kështu që unë mendoj se ne të paktën mund t’u japim atyre një ftesë”, tha ai.
”Vetëm fjalë për urat e pakthyeshmërisë, më falni.. nuk funksionon. Na duhen veprime”.
Përveç kësaj, ai argumentoi se ngërçi aktual është kundërproduktiv sepse Rusia reagon vetëm ndaj fuqisë.
Kasčiūnas kujtoi se vendet baltike, duke përfshirë edhe të tijin, i kishin kërkuar prej kohësh BE-së dhe Perëndimit të ndërmarrin veprime më të forta kundër Rusisë, por paralajmërimet e tyre u shpërfillën.
“Ne, Baltikët, gjithmonë thoshim t’i jepnim më shumë armë Ukrainës për parandalim. Nëse Ukraina është e fortë, Rusia do të frenohet”, shpjegoi ai.
“Dhe ne dëgjuam shumë zëra nga miqtë tanë, duke na thënë, shikoni, nëse do t’i jepni armët Ukrainës, do të përshkallëzohet. Do të provokojë. Por ne nuk dhamë sa duhet, dhe tani shohim se çfarë ka ndodhur”.
“Të mos bësh asgjë është përshkallëzuese,” i tha ai Euronews./euronews/