Aliu: Ndoshta mund të jem pjesë e hetimeve, por zyrtarisht s’jam njoftuar

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se mund të jetë pjesë e hetimeve rreth faljes së borxheve për kompanitë e ambalazhuesve të ujit në Kosovë për të cilat raportoi Albanian Post por që zyrtarisht akoma s’ka pranuar informacion.

Aliu, këtë deklaratë e ka bërë në një konferencë për media.

“Nuk kam ndonjë informacion zyrtar në lidhje me zgjerimin e hetimeve dhe, bazuar në informacionin që kam, po konsideroj se ndoshta mund të jem pjesë e hetimit, por zyrtarisht nuk jam”.

“Nuk kam mundësi të deklaroj pa e sqaruar më parë këtë situatë”, ka thënë ai para gazetarëve.

Teksa ka ripërsëritur qëndrimin e tij se është i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet e Drejtësisë.

“I gjithë informacioni që kam marrë është nga portalet. Pa pasur ndonjë vendim zyrtar, nuk mund të deklaroj më tepër sesa atë që kam deklaruar përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ku kam shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me institucionet e drejtësisë”.

Më 21 tetor, përmes një dokumenti të publikuar nga mediumi “Nacionale” u bë e ditur se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj ministrit Liburn Aliu, pas hulumtimit të Albanian Post, i cili kishte zbardhur që përmes një procedure kundërligjore, iu shlyen borxhet milionëshe kompanive të ambalazhuesve të ujit.

Naser Hafizi dhe Izedin Bytyqi, dy zyrtarë të lartë, u prangosën pas raportimeve shtatëmujore të Albanian Post mbi keqpërdorimet dhe vjedhjet multimilionëshe të lidhura me borxhin e kompanive të pijeve dhe ambalazhimit të ujit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu.

Albanian Post kishte filluar raportimin rreth shkeljeve ligjore në rastin e shlyerjes së borxheve për ambalazhuesit e ujit në prill të këtij viti.

Aty ishte zbërthyer një pjesë e skemës, ku Naser Hafizi kishte prodhuar procedura jo ligjore për të shlyerjen e borxheve milionëshe me shifra simbolike.

Marrë shkasë këtë raportim, Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – pas një hetimi disa mujor – organizuan një aksion e cila rezultoi me arrestimin e sekretarit të kësaj ministrie, Izedin Bytyqit, e shpalljes në kërkim të Naser Hafizit, Ushtruesi i detyrës në pozitën e Udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore.

Ai më pas u arrestua me 10 tetor dhe iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Hafizi dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Ndërkaq, Bytyqi sipas Prokurorisë Speciale dyshohej se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Nga hetimi i Prokurorisë, deri më tani ka rezultuar se Hafizi vetëm në 11 muajt e fundit ka blerë 4 banesa dhe patundshmëri të tjera, derisa vetëm në muajin shkurt të këtij viti ka qarkulluar 395 mijë euro në xhirollogarinë e tij dhe në periudha të ndryshme ka deponuar 109 mijë euro përmes bankomatit, derisa pagën mujore e ka vetëm 732 euro.

Sipas Prokurorisë, zyrtari i lartë i MMPHI-së disa here ka hyrë e ka dalë nga Kosova brenda një dite nga pikë kalimi kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në seancën e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës u diskutua për aferën e ambalazhuesve të ujit, por kjo seancë u bojkotua nga pushteti.

Ndërkohë, opozita kërkoi që ndaj personave përgjegjës të ndërmerren masat adekuate./Albanianpost.com

Read Previous

Kosova edhe sivjet e pranishme në Panairin e Librit në Frankfurt

Read Next

“New York Times”: Bill Gates dhuron 50 milionë dollarë për Kamala Harris