FMN e çmon progresin ekonomik të Shqipërisë dhe uljen e borxhit publik

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar ecurinë e ekonomisë shqiptare. Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe guvernatori, Gent Sejko, zhvilluan një sërë takimesh në Washington, në kuadër të takimeve të vjeshtës.

Gjatë një takimi me shefen e misionit të FMN-së në Shqipëri, Anke Weber, dhe ekipin e saj, u diskutua për zhvillimet kryesore të ekonomisë dhe perspektivën e saj të ardhshme. Borxhi publik është reduktuar me mbi 14 përqind, nga 70.4% të PBB-së që shënonte në vitin 2013, në 58.2% që pritet të jetë në fund të vitit 2024.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi progresin ekonomik dhe uljen e borxhit publik si elementë dallues, në një kohë kur, si pjesa tjetër e vendeve të rajonit, ashtu edhe e Europës, kanë shfaqur shenja të përkeqësimit të ritmeve të rritjes dhe niveleve të borxhit.”

Po ashtu, gjatë takimeve u theksua rëndësia që ka marrë sektori i turizmit në ecurinë ekonomike, hapja e kapitujve të parë në procesin e integrimit, si dhe thellimi i reformave ekonomike, të cilat do të ndihmojnë në ruajtjen e prirjeve pozitive.

Me ekipin e FMN-së u diskutua në veçanti edhe për Projektbuxhetin 2025, që siguron nivele të larta investimesh publike dhe politika efektive për një zhvillim të qëndrueshëm. /abcnews.al

Read Previous

Coca-Cola tërheq miliona shishe plastike në Austri për arsye sigurie

Read Next

“Arrestimi i Metës, mesazh pozitiv për të shtyrë përpara procesin e integrimit europian”